Mikel Shallari, i cili u prangos si i dyshuar për ekzekutimin e Artan Cukut, deri disa muaj më parë jetonte në një fshat të humbur të Kuçovës. Dikater quhet vendi ku Mikel Shallari dhe familja e tij banonte para se të vendoseshin në qytetin Studenti në Tiranë. Fillimisht, në tetorin e vitit të kaluar, u zhvendosën ai me të motrën, kurse prindërit vetëm tre muaj më parë.

Shtëpinë ua kishin dhënë kushërinjtë. Të afërmit e 24-vjeçarit nuk besojnë që ai është vrasësi i ish-drejtori të policise se Vlorës.

Ata e kujtojnë një djalë të urtë. Por që edhe në fundjavë nga Tirana shkonte në Dikater dhe bashkë me babain punonin tokën. “Kanë ikur para dy muajsh në Tiranë prindërit. I ati punon si shofer. Ne nuk e besojmë se ai është vrasësi, që të ketë arritur në këtë gjendje. Është e pabesueshme. Ai vinte shpesh me babain ta ndihmonte”, pohojnë të afërmit.

Në Dikater banorët nuk duan të flasin për këtë histori. Ata kanë dëgjuar që para disa kohësh i riu ishte larguar në emigracion, por më pas ishte kthyer. Tregojnë për prindërit e tij të cilët u larguan pasi babai gjeti punë si shofer në Tiranë kurse motra ndiqte Universitetin.

Por vetëm kaq, dhe asgjë që i bën ata të dyshuar rreth personalitetit të 24-vjeçarit Mikel Shallari i cili u vendos në pranga për vrasjen e Artan Cukut, ngjarje kjo e ndodhur më 8 Prill 2017. ABCnews