Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qendër të Durrësit, si dhe ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët.

Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, policia e Durrësit sqaron se dy autorët janë vëllezërit J.Sh. 21 vjeç, dhe K.Sh. 25 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes vëllezërve Shala dhe dy personave të tjerë në bilardon që ndodhet përgjatë bulevardit “Dyrrah”. Më pas, dy vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të bilardos.

Fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz, por është dëmtuar vetëm qepeni i bilardos.

Ndërkohë policia po punon për kapjen e dy të rinjve, ndaj të cilëve rëndojnë 3 akuza.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku në lagjen nr.3, u qëllua me armë zjarri, Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore të specializuar kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit:

• J.Sh. 21 vjeç, banues në Durrës;

• K.Sh. 25 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm (vëllezër me njëri-tjetrin), dyshohen se më datë 05.06.2017, rreth orës 22:20, në lagjen nr.3, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta me dy shtetas, në një bilardo kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të lokalit, bilardo.

Fatmirësisht nuk kemi pasoja në njerëz, por është dëmtuar vetëm qepeni i dyqanit, bilardo.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

• 2 gëzhoja model 56;

• mjeti me të cilin janë larguar autorët, tip “Ford Focus”.

Po punohet për kapjen e shtetasve të mësipërm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosje për vrasje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake në ambientet publike” parashikuar në nenet 84, 274 dhe 278/4 të Kodit Penal.