Një sasi prej 32 kilogramë tritol është sekuestruar në kryeqytet. Finalizimi i operacionit policor të koduar “Stacioni fundit” ka çuar në pranga shtetasit Kel dhe Gjon Ndreca 52 dhe 27 vjeç dhe Ndue Kola 38 vjeç.
Kapja e tyre u bë në në segmentin rrugor Fushë Krujë-Kamëz.
“Shërbimet e policisë kanë konstatuar një shtetas (Ndue Kola) i cili po qëndronte në mënyrë të dyshimtë dhe pak çaste më pas i është afruar një automjet tip “Mercedes Benz”, me dy shtetas (drejtues mjeti shtetasi Kel Ndreca dhe pasagjer Gjon Ndreca) të cilët pasi kanë biseduar me shtetasin Ndue Kola i cili po qëndronte në anë të rrugës, kanë zbritur nga automjeti, dhe të tre së bashku janë afruar në bagazhin e automjetit nga ku kanë nxjerrë një qese plastike dhe më pas kanë vazhduar lëvizjen për në një lokal aty pranë”, sqaron policia.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë ku kanë bërë neutralizimin dhe arrestimin e tre shtetasve në flagrancë.
Tre të arrestuarve, iu gjetën 32 kilogramë lëndë e dyshuar plasëse e llojit tritol. Lënda plasëse u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





