Policia e Spanjës, me arrestimet e 5 personave në Madrid, ka shkatërruar një organizatë shqiptare të specializuar në trafikimin e kokainës dhe heroinës, që operonte në Spanjë dhe vende të tjera të Europës.

Siç raportohet sot nga Policia e Madridit, 22 kokainë, 4.5 heroinë dhe thuajse 80 kg ‘përzierës’, si dhe mjete që përdoreshin për paketimin e shitjen e drogës, janë sekuestruar. Gjithashtu janë vënë nën sekuestro edhe një numër i madh telefonesh celularë. Pesë shqiptarët e arrestuar janë mes 43 dhe 69-vjeç, raportojnë mediat spanjolle, por pa bërë të ditur identitetin e tyre.

Udhëheqësi i grupit është një 43-vjeçar dhe ka precedent penale, ndërsa pjesa tjetër jo. Hetimet nisën në mes të vitit 2015, kur policia verifikoi disa informacione mbi grupin kriminal të formuar nga shqiptarë, që bënte trafik drogë në shkallë të gjerë në Spanjë, ashtu si edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Banda ka pasur një aktivitet të madh sidomos kur vepronte në Spanjë, edhe pse anëtarët e saj largoheshin nga shteti iberik në mënyrë të vazhdueshme, për t’u kthyer 4 apo 5 javë më vonë.

Udhëheqësi kryesor ishte ai që drejtoi të gjitha operacionet, duke pasur disa vartës, të cilët kontaktonin me grupe të tjera kriminale në shtete të tjera për të shpërndarë drogën.

Pas përpjekjeve të shumta, u identifikua grupi dhe hapat e anëtarëve të saj u ndoqën deri në mars, kur dy prej pjesëtarëve u arrestuan kur po bënin një shkëmbim droge në parkingun e një qendre tregtare në Madrid.

Droga fshihej në hapësira të krijuara enkas në makina.