Vjollca Arapi i rikthehet sërish vrasjes së bashkëshortit të saj Agimit, 60-vjeçar. Familja Arapi, e cila rreth 40 ditë më parë humbi kryefamiljarin nga një sulm barbar i dy vëllezërve Ekonomi, ngre pretendime se ngjarja po deformohet qëllimisht për të ndihmuar autorin e vërtetë të krimit: Jurgen Kurtin.
Bashkëshortja e viktimës Agim Arapi, Vjollca, gjatë një prononcimi për DurrësLajm tregon se hetimet janë kryer në mënyrë të komanduar, me qëllim të nxjerrin të pa implikuar Jurgen Kurtin. Vjollca shprehet dhe tregon njëkohësisht pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë se Jurgen Kurti ka qëlluar mbi bashkëshortin e saj me një send që mbante në dorë.
Bashkëshortja e të ndierit thotë se pamjet që tregojnë qartë se Jurgen Kurti ka qenë një ndër tre agresorët i janë vënë në dispozicion Prokurorisë dhe Policisë, por ata i lexojnë pamjet sipas interesit të tyre, pasi qëllimi është të dali i palagur Jurgen Kurti.
“Kërkova ndihmë dhe nuk ma dha njeri. Jurgeni më del mbrapa dhe më tall. Çfarë bëmë?! Ta vramë!“, shprehet ajo.
Vjollca Arapi ka hedhur akuza, se prokuroria nuk po i merr në shqyrtim provat filmike të fiksuara nga bizneset përreth.
“Unë dua drejtësi. Ata të tre e kanë vra. Unë hak nuk marr. Haku për mua është drejtësia dhe Zoti, sepse ma kanë vrarë të tre burrin, ma kanë masakruar”, shprehet ajo.
Vjollca ka edhe një apel për grupin hetimor, prokurorinë dhe gjykatën që të marrin vendim të drejtë dhe të arrestohet autori i vërtetë i kësaj ngjarje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 11 prill në bulevardin kryesor të qytetit. Pas një përplasje verbale, konflikti u përshkallëzua dhe, dy vellezërit Ekonomi sulmuan barbarisht 60-vjeçarin Agim Arapi në dyqanin e tij ushqimor duke e lënë të vdekur në vend.





