Një mjet lundrues, i cili dyshohet se mund të përdorej për trafik droge drejt Italisë, është sekuestruar në Vlorë.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për goditjen e rasteve kundër trafikimit të lëndëve narkotike, në zonën e quajtur “Fusha e druve” Vlorë, uniformat blu bllokuan dhe sekuestruan një mjet lundrues të llojit gomone.

Policia thotë se mjeti lundrues ka mbishkrimin “EBI”, me gjatësi 10 m, si dhe me 2 motorë të markës “Yamaha” me fuqi 250 hp secili (në pronësi të shtetasit V.M). Ky mjet lundrues më parë ka qenë në vendbazimin e Orikumit por është lëvizur nga toka me qëllim për t’u hedhur në det në zonën e Zvërnecit. Nga hetimet e kryera, dyshohet se ky mjet lundrues mund të përdorej për trafikimin e lëndëve narkotike drejt shtetit Italian.

Shërbimet bënë të mundur bllokimin e mjetit në Pikën e Grumbullimit Triport për veprime të mëtejshme. Materialet do ti referohen Prokurorisë për veprën penale “Zhvendosja e mjetit lundrues pa autorizim”, bazuar në ligjin 8663, viti 2000.