Një 32-vjeçar ka kërcënuar me armë një grua në qytetin e Durrësit. Fatmirësisht policia ka mundur të parandalojë përshkallëzimin e konfliktit të dhunshëm.
Uniformat blu me të marrë njoftim për ngjarjen kanë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin F. B., banues në Durrës.
Mësohet se në lagjen numër 17/1, 32-vjeçari ka kanosur me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, shtetasen Sh. Ll. 49 vjeçe, banuese në Durrës.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e modifikuar, kalibër 6.35 mm dhe një automjet tip Ford Focus.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja” dhe "Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar në nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal.





