Disa ditë më parë u arrestua në Vlorë Irfan Ymeraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Siç njoftuan burime zyrtare nga policia, 35-vjeçari i cili rezultonte rezident në qytetin bregdetar, pritet të ekstradohet në Itali, ku është dënuar në 2015-ën me 20 vite burg për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Arrestimi i tij është bërë i mundur nga policia shqiptare në bazë të informacioneve të siguruara nga policia italiane në bashkëpunim me Interpolin, tha një efektiv i policisë italiane.  

Po kush është Irfan Ymeraj?

35-vjeçari akuzohet si kreu i një organizate kriminale në Itali, që furnizonte me drogë katër provinca: Piacenza, Novara, Alessandria e Pavia. Irfan Ymeraj ishte në kërkim prej gushtit 2015. 

Hetimet në Itali ndaj bandës nisën në vitin 2014 dhe që prej atëherë 7 persona janë vënë në pranga dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge (kokaine dhe marijuhane) dhe parash. 

Ndërsa ia arrestuari i tetë dhe i fundit është Ymeraj, i cili përdorte dhe mbiemrin Yherej për kamuflim.

Hetuesit u vunë në gjurmët e grupit pas shkatërrimit të bandës famëkeqe në Itali: “Banda del Grimaldello”. Ishte pikërisht grupi i udhëhequr nga 35-vjeçari vlonjat që furnizonte me drogë bandën që merrej me grabitje e vjedhje, të shkatërruar në vitin 2014. /syri.net