Dy të rinj shqiptarë janë gjetur të vdekur në një gurore të braktisur në Acquasanta, në komunën e La Spezia-s.
Sipas hetimeve fillestare të mjekut ligjor, dyshohet se ata kanë ndërruar jetë të paktën tre ditë më parë në mënyrë aksidentale duke rënë nga një lartësi prej 40 metrash nga rruga bregetare që çon në territorin turistik “Cinque terre”.
Njëri prej tyre është identifikuar si shtetasi Fabiol Kyçyku, 19 vjeç (në foto), ndërsa identiteti i shqiptarit të dytë nuk është konfirmuar ende nga autoritetet italiane. Familjarët e 19-vjeçarit që jetojnë në La Spezia, kishin denoncuar zhdukjen e tij që të dielën e shkuar.
“TGCOM” raporton se në trupat e dy viktimave nuk janë gjetur shenja dhune ose plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo armë të ftohta.
Rasti është duke u hetuar nga policia.
S.L.





