Rëndohet edhe më shumë bilanci i atentatit në mes të qytetit të Vlorës. Pak pasi ka mbërritur në spital ka humbur jetën personi që mbeti i plagosur.

Mësohet se viktima e dytë është Ervent Hyseni, pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”.

Ervent Hyseni dyshohet të jetë objektivi i sulmit me armë. 

Informacion paraprak nga Policia e Vlorës:

Rreth orës 19:40, në “Sheshin e Flamurit” Vlorë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali.

Për pasojë kanë mbetur të vdekur 2 shtetas:

1- R.S., Drejtor i OSHEE-së
2- E.H., i cili ka ndërruar jetë disa minuta më pas në Spitalin Rajonal Vlorë.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pranë një lokali aty pranë sheshit, ku autorët pasi kanë qëlluar me armë zjarri të dyshuar “Automatik” janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Po punohet për zbulimin e gjeneraliteteve të plota të viktimave.

Policia ka ngritur pika kontrolli në qytet, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet e mëtejshme proceduriale.