Policia e Vlorës ka bllokuar një furgon me 932 kilogramë kanabis sativa.

Të martën më datë 23.05.2017, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në qytet po qarkullonte një mjet i dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike, menjëherë u organizuan shërbimet përkatëse të narkotikëve të cilë bënë të mundur:

Rreth orës 22:30, në lagjen “Hajro Çakërri” pranë vendit të quajtur “Kuzum Baba” është konstatuar dhe bllokuar nga ana e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve një furgon tip “Benz Mercedes”, me targë AA 196 AI.

Nga kontrolli i ushtruar në këtë mjet, shërbimet kanë gjetur në mënyrë të sistemuar 46 pako të formave dhe përmasave të ndryshme të mbështjella me natriban dhe qese transparente, brenda të cilave ishin mbushur me material bimor në formë boçesh, e ngjashme si ajo e llojit Cannabis Sattiva.

Nga peshimi i lëndës narkotike, ka rezultuar se pesha e përgjithshme është prej 932 kilogramë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale bashkë me furgonin.

Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim shtetasi G.M. dhe për arsye hetimi policia nuk mund të japë gjeneralitete të plota.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë bashkëpunëtorë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.