37-vjeçari shqiptar që humbi jetën në një aksident rrugor në Itali është nga Durrësi. Viktima është identifikuar si shtetasi Xhevair Hoxha, lindur në Durrës, por rezident për një kohë të gjatë në Botticino.
Ngjarja ndodhi të dielën pasdite, në territorin e Nuvolera-s, ku durrsaku ishte duke udhëtuar me makinën e tij “Opel Zafira” dhe është përplasur kokë më kokë me një tjetër automjet tip “Volvo XC90”, SUV. Sipas medieve italiane, Hoxha ka marrë plagë të rënda në kokë dhe kjo i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mësohet se ai punonte si murator dhe më 12 qershor mbushte 38 vjeç. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit tragjik kanë qenë rrezet e forta të diellit që kanë bërë që ai të përplaset me makinën tjetër. Pasagjerët e makinës tjetër ishin pjesëtarë të një familjeje gjermane, mes tyre dhe dy fëmijë të vegjël, por fatmirësisht ata nuk kanë pësuar dëmtime.





