Sapo e kishte blerë makinën, por hajdutët nuk e kanë lënë që ta gëzojë siç duhet.
Një mjet tip “BMW” seria 3, ngjyrë bezhë, është vjedhur gjatë natës së shkuar në Durrës, e sërish në zonën e Plazhit. Ngjarja është regjistruar gjatë orëve të vona të natës së të premtes, në lagjen nr. 13, pranë banesës së shtetases R.XH., 46 vjeçe.
Familjarë të të dëmtuarës, tregojnë për “DurrësLajm” se 46-vjeçarja e kishte blerë automjetin vetëm dy javë më parë, dhe e kishte parkuar përpara shtëpisë, ashtu siç kishte vepruar çdo natë. Por autorët ende të paidentifikuar nga ana e policisë, e kanë survejuar dhe kanë arritur t’ia vjedhin me lehtësi.
Në Durrës, muajt e fundit janë shtuar në masë vjedhjet e makinave. Përgjithësisht autorët veprojnë orëve të vona të natës duke i vjedhur makinat e parkuara edhe përpara banesave të pronarëve. Në pjesën më të madhe, këto raste kanë mbetur të pazbardhura. Edhe për rastin e fundit, policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
S.L.





