Policia e Lezhës ka sekuestruar 190 kg marijuanë, gjatë goditjes së dy rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe ka arrestuar katër persona.
Në operacionin e gjerë antidrogë në rang qarku të koduar “Horizont”, u arrestuan tre persona në Kurbin dhe një në Lezhë.
Në Kurbin u arrestuan 40-vjeçari Agron Prelaj, 27-vjeçari Albert Haxhia dhe 40-vjeçari Lek Lari pasi në vendin e quajtur Fushë – Mamurras, u sekuestruan 153.5 kg marijuanë brenda një mjeti tip Opel me targa AA 605 IC.
Në kërkim u shpall edhe 42-vjeçari A.M., banues në Tiranë, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Ndërsa në rastin e dytë, në fshatin Mërqi të Lezhës, u gjetën dhe u sekuestruan 36.5 kg lëndë narkotike marijuanë në banesën e shtetasit Zef Lekaj, 57 vjeç, i cili u arrestua.





