Ditën e sotme, Policia e Durrësit u njoftua nga Shërbimet e OSHEE-së se në vendin e quajtur Kodër Thumanë, ishte konstatuar dëmtimi i dy këmbëve mbajtëse të një shtylle të tensionit të lartë.
Menjehere në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, të cilët kanë siguruar vendin e ngjarjes.
Nga kryerja e veprimeve verifikuese në terren është konstatuar se kanë ndodhur 2 shpërthime.
Dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur në datë 13.05.2017 rreth orës 02:00. Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar 5 shtetas, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.
Shtetasit e shoqëruar banojnë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe deklarojnë se para 3-4 ditësh kanë dëgjuar dy shpërthime të njëpasnjëshme, por nuk e kishin lokalizuar vendin.
Efektivet e Policisë kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur dhe dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme:
- disa mbetje lënde plasëse e dyshuar eksploziv;
- rreth 40 cm fitil zjarrëpërcjellës i djegur;
- mbetje prej qelqi që është përdorur si mekanizëm për ndezje.
Veprimet e tjera procedurale po kryhen nga Specialistë të Drejtorisë Kundër Akteve Terroriste Tiranë.





