Një 33-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, ndërsa janë sekuestruar një sasi prej rreth 6 kg kokainë me vlerë mbi 300.000 euro.

Shqiptari me iniciale C.S., ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Opel Station Wagon” me targa franceze në autostradën “A55” pasditen e së premtes, kur është ndaluar për një kontroll nga efektivët e policisë së Torinos.

Pyetjeve të efektivëve, ai u është përgjigjur në mënyrë kontradiktore. Ai tha se ishte drejtuar për të shkuar në Shqipëri, por kjo nuk ka bindur agjentët pasi në kërkimin e fundit në navigatorin e makinës, rezultonte një rrugë në qendër të Torinos.

Edhe dokumenti i identifikimit i dorëzuar nga shqiptari ngjallte dyshime, pasi fotografia dukej e mbivendosur mbi foton kryesore. Kështu, ai u shoqërua në komisariat për të kryer verifikime të mëtejshme lidhur me identitetin.

Ndërkohë, në mjetin tip “Opel” u gjetën 5.8 kg kokainë me vlerë rreth 300.000 euro. Droga ishte fshehur në një ndarje metalike të salduar te shasia e makinës, që lidhej me hapje në brendësi të bagazhit.