Familja e Peranxhela Shahinajt, polices 23-vjeçare që i dha fund jetës me armën e shërbimit paraditen e sotme, ka vendosur ta varrosë vajzën e re me fustan nusërie, veshje që vajza brune nuk pati mundësi ta vishte kur ishte gjallë.
Sipas burimeve të DurrësLajm, familjarët e së ndjerës janë të tronditur në maksimum nga akti i ndërmarrë nga vajza e re, e cila qëlloi veten me pistoletë në bark, në katin e dytë të shtëpisë së saj, në Katund Sukth të Durrësit.
Ajo që është më e pashpjegueshme, dhe që shpresohet të zbardhet nga grupi hetimor, është se pse Peranxhela vendosi t’i jepte fund jetës. Ajo nuk ka lënë për familjarët asnjë letër të shkruar, ku të shpjegonte arsyet e aktit ekstrem.
Mësohet se vajza 23-vjeçare ndihmonte edhe familjen e saj me rrogën që merrte në Polici, pjesë e së cilës ishte bërë në vitin 2014. Gjithashtu, kolegët e saj tregojnë se ishte një vajzë e pjekur dhe mjaft e përgjegjshme në punën e saj.
Policja 23-vjeçare zgjodhi të vriste veten me armën e shërbimit, paraditen e kësaj të mërkure, duke lënë pas dhimbje të thellë tek familjarët dhe misterin e një akti që la të shokuar jo vetëm të afërmit, por edhe kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin.





