Fetah Mataj, pronari i lokalit të cilit i vunë eksploziv gjatë natës në Durrës, kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, ndërsa rezulton se ka qenë disa herë i dënuar nga drejtësia shqiptare.
35-vjeçari ka qenë ish-punonjës i Bashkisë së Durrësit në Parkun e Autobusëve, ndërsa u arrestua nga blutë e Durrësit në gusht të vitit 2014.
Rastet e dënimit të Fetah Matajt, të publikuara nga “DurrësLajm” më 7 gusht 2014 (lexo këtu)
Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, më datë 28 shtator 2012, e ka dënuar me 5 vjet burg dhe 1,5 milionë lekë gjobë në mungesë, për shtrëngim me anë të kanosjes për të përfituar.
Mataj u ndalua edhe më 26 qershor 2011 për tri gjoba të vendosura ndaj punonjësit të një kompanie private në Shkozet, ndërsa i bënte presion për gjobën e katërt 750 mijë lekë.
Ish-kryekontrollori i Parkut të Autobusëve në Durrës, i njohur si aktivist i Partisë Socialiste akuzohej se kishte detyruar një 24-vjeçar t’i jepte 750 mijë lekë.
Mataj, i lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit, ishte denoncuar nga shtetasi A.D., i cili kishte deklaruar para forcave të rendit se ishte kërcënuar me jetë nga 29-vjeçari Mataj (në vitin 2011 Mataj ishte 29 vjeç) nëse nuk i jepte shumën e kërkuar.
Në vitin 2009 është arrestuar si sekser në një çështje korrupsioni me funksionarë të Bashkisë së Durrësit.
Më pas, në protestat e 21 janarit, Mataj rezultoi si një ndër personat që kundërshtuan me dhunë forcat e policisë. Ai u arrestua më 30 janar, por u la për t’u hetuar pozicioni i tij në ngjarjet e 21 janarit në gjendje të lirë.





