Një sasi eksplozivi është vendosur në makinën e shtetasit Bashkim Brahimaj në Vlorë, vëllait të biznesmenit të ndërtimit Isuf Brahimajt, i cili është ekzekutuar me tritol në gusht të vitit 2014.
Sipas burimeve policore, lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në makinën tip “Benz” me targa AA 952 NA, e cila ishte e parkuar poshtë pallatit.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës dhe makina nuk ka shpërthyer. Forca të shumta xheniere kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pritet të kryejnë çaktivizimin.
Ende nuk dihen autorët që kanë vendosur sasinë e eksplozivit.
Si u vra Isuf Brahimaj
Automjeti ‘Mitsubishi’ i bardhë, fuoristradë, me targa AA 848 XJ në të cilin udhëtonte Isuf Brahimaj dhe një vajzë 19-vjeçare shpërtheu në flakë ndërsa ishte në lëvizje.
Viktima, Isuf Brahimaj u gjet i pajetë, totalisht i shkrumbuar në derën e parme të mjetit. Ndërkohë forca e shpërthimit, duket se ka nxjerrë jashtë pasagjeres, 19-vjeçare. I plagosur nga ngjarja mbeti edhe një kalimtar i rastit, i cili u transportua drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore.
Nga hetimet atëherë dyshohej se shpërthimi ka qenë i telekomanduar me celular, çka e bënte të vështirë punën e hetuesve, pasi shpërthime të tilla nuk lënë gjurmë.
Emri i Isuf Brahimaj nuk ishte i panjohur për policinë e Vlorës, nga ku mësohej se i kishte shpëtuar dy atentateve të tjera që ishin kryer ndaj Brahimajt, i njohur si biznesmen ndërtimi dhe familjarëve të tij.
Atëherë u mësua se emri i Isuf Brahimaj dhe vëllait të tij ndodheshin në listën e vrasësit serial Julian Sinanaj, i cili ndodhet në burg.





