Një 35-vjeçar është ekzekutuar me breshëri plumbash një orë para mesnatës së të dielës në rrethrrotullimin e Skelës në Vlorë.

Viktima është Elidon Mehmeti. Ai ka qenë në makinën e tij duke hyrë në rrugicën ku kishte banesën kur autorët kanë qëlluar në drejtim të makinës.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, atentati ndodhi rreth orës 22:58 të mbrëmjes së 9 prillit 2017. Ai u transportua në gjendje të rëndë në spital, ku dhe ndërroi jetë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Rreth orës 22:58, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Elidon Mehmeti, rreth 35 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasi i plagosur u transportua menjëherë në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal Vlorë, por më pas ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në zonën e Skelës, ku shtetasi Elidon Mehmeti ka qenë në mjetin tip “Ford”, përballë një hoteli, kur është qëlluar me armë zjarri.

Deri tani, janë shoqëruar 2 persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes.

Policia ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes

Janë ngritur grupe kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.