Nga Gladiola Busulla
22 dhjetor 2013- Disa fëmijë janë më të veçantë se të tjerët. Ata lindin dy herë. Duhet të mësojnë të integrohen në një botë, të cilën lindja e parë ia ka vështirësuar shumë. Lindja e dytë varet nga ajo që do t’u jepni këtyre fëmijëve. Rruga e tyre është më e mundimshme se e të tjerëve. Giuseppe Pontiggia përmes këtij mesazhi tek “Të lindur dy herë” nxit çdokënd të kontribuojë dhe të zhvishet nga indiferenca.Të tillë fëmijë janë viktima të një sistemi që ngre mijëra pyetje, por shpeshherë, asnjëra në dobi të tyre.Kujtimet e fëmijërisë të lënë shije të paharrueshme.Stefano është fëmija i parë me sindromë Down që kam njohur. Ishte djali i dytë i një familjeje të mrekullueshme italiane. Jetonte në Sardegna dhe në vitin1994 vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Më kujtohet që bërtiste shumë, sa fillimisht u tremba kur e takova. Gati qava kur më ulën pranë tij, por nëse i jepje karamele, ai të kishte xhan.
Ungji im i kishte ftuar të vizitonin Durrësin dhe Stefano u bë shumë shpejt një person i dashur për të gjithë. Atëherë mbaj mend të kem kuptuar për herë të parë në jetën time dallimin mes fëmijëve normalë dhe atyre të veçantë, por kishim një emërues të përbashkët, lodrat i donim me të njëjtën ëndje. Me Stefanon, kurioziteti im për të parë një fëmijë “të ndryshëm” tashmë ishte shuar dhe frika ndaj tij ishte shndërruar në një dhembshuri të madhe.
Vazhdoj ta kujtoj pas gjithë atyre viteve dhe ndiej keqardhje të shumëfishtë, sidomos për prindërit e tij.
Sa trishtim, teksa shkruaj këto rreshta! Nuk është thjesht dhembje, por një kalvar Golgote për secilën familje ardhja në jetë e një fëmije të tillë, ndonëse prindi e pranon dhe e do fëmijën siç është, sepse fëmija vjen nga shpirti. Të premten e shkuar rashë sërish në kontakt me fëmijë të tillë që vuajnë nga një handikap i caktuar në Shkollën Speciale të Durrësit.
Së bashku me fëmijët e talentuar të Qendrës Kulturore u përpoqëm t’i argëtonim, t’i përfshinim në programin tonë, mbi të gjitha t’u kujtonim se s’janë vetëm. Ata kanë prindër, kanë mësuese mbështetëse të mrekullueshme, drejtoreshën e tyre Arta Çerçizin dhe Klubin e Rotarianëve, biznesmenë të suksessshëm, me sens filantropie që drejtojnë vëmendjen tek këta fëmijë. Nuk ngurrojnë t’i përqafojnë e t’i kujtojnë përmes dhuratave, sepse të gjithë vogëlushët kanë të njëjtën të drejtë, të njëjtën dëshirë si çdo vogëlush tjetër për të gëzuar, në këtë atmosferë të shndritshme festive.
Anëtarët e “Klubit Rotarian Durrës” në këtë prag festash luajnë rolin e “Santa Clausit” figurativ për këta fëmijë. Zonja e zotërinj të nderuar të Durrësit, duke transmetuar qëllimin e Rotary Club, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, heshturazi pa publicitet kontribuan që edhe tavolinës së këtyre fëmijëve të mos u mungojë gjë në këto ditë festash.
Por detyra e shoqërisë sonë shkon përtej kësaj. E në këtë rast, ajo shndërrohet në një obligim të politikës, të shtetit, të të gjithë sistemit. Këta fëmijë bëjnë përpjekje për të qenë të barabartë me të tjerët dhe për t’u afirmuar në një shoqëri, që shpeshherë s’i dëgjon. Ndaj nisma të tilla fisnike si kjo e Klubit të Rotarianëve të Durrësit, është jo vetëm për t’u përgëzuar, por gjithashtu për të frymëzuar këdo në ndërmarrjen dhe benefitet jo vetëm me efekt moral, por mbi të gjitha komunitar të tyre. Gjithçka që bëjmë sot do t’i shërbejë së ardhmes. Askush s’duhet të harrojë se ndjesitë më të bukura njerëzore mbeten “të dhurosh një buzëqeshje e të fshish një lot”, sidomos në prag festash e ditësh të shenjta.






