Koordinatori i PD-së për Sukthin, Osman Stafa, deklaron se pas fitores së ngushtë të opozitës më 25 prill në këtë njësi administrative të bashkisë Durrës, elementë që kanë shpërndarë para kundrejt shitblerjes së votës, kanë nisur të kërkojnë mbrapsht paratë që u kanë dhënë banorëve, madje u kanë kërkuar dyfishin. Sipas Stafës, varfëria i detyron njerëzit të marrin para për votën që do të hedhin, ndërsa e cilëson turp që në vitin 2021 ekziston ende një marrëdhënie e tillë.

“Pas 4 ditësh të daljes së rezultatit, ku ata vinin baste se me mbi 1500 vota do të dilte e majta kanë shkuar u kanë kërkuar paratë. U kanë kërkuar dyfishin e parave. Ti me të drejtë mund të më thuash Osman pse nuk i denoncon. Nuk mi kanë kërkuar mua se nuk guxojnë. Ia kanë kërkuar atij që ia kanë dhënë. Është një marrëdhënie që të vjen keq. Është turp për ne që në vitin 2021 të diskutojmë një marrëdhënie të tillë të elementëve me një qytetar të thjeshtë. Varfëria është e frikshme”,– tha Stafa.

Sipas koordinatorit të PD-së, kryeministri e ka siguruar mandatin e tretë qeverisës duke deformuar votën e qytetarëve, ndërsa thekson se nëse strukturat shtetërore që duhet të hetojnë krimet zgjedhore do të funksiononin, ky krim, siç e quan ai, nuk do të kishte ndodhur.

“Rama ka mbajtur pushtetin duke deformuar votën, duke vjedhur. Basha duhet të ishte më i zoti për të menaxhuar frymën, zemërimin e qytetarëve. A kishte mundësi? E pamundur, sepse ju nuk dini gjë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Denoncimi i takon qytetarëve dhe strukturave shtetërore. Po të kishin funksionuar strukturat shtetërore nuk do të kishte ndodhur ai krim që ka ndodhur”,- deklaroi Stafa për “DurrësLajm”.  

Sukthi së bashku me Katundin e Ri ishin të vetmet njësi administrative të bashkisë Durrës, ku PD rezultoi forcë e parë. Ndërsa rezultati në favor të opozitës pritej në Katundin e Ri, i njohur si bastion i së djathtës, surprizë ishte Sukthi, i cili 4 vite më parë nxorri forcë të parë me diferencë të madhe votash Partinë Socialiste.