Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur negativisht ftesës së Komisionit të Ligjeve për të dhënë shpjegime në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij ditën e sotme. Kreu i shtetit në një letër dërguar Komisionit thotë se është i gatshëm që të dalë përpara në datë 10 maj, siç edhe ka njoftuar në letrën e një dite më parë.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja thotë se “nuk e di çfarë axhende më të rëndësishme ka Presidenti sesa firma e 49 deputetëve të cilët kanë firmosur shkarkimin e tij për shkeljet e bëra gjatë fushatës zgjedhore”.

Më pas Manja tha se duke qenë se Presidenti nuk u paraqit për të dhënë sqarime ai i ka ftuar të vazhdojnë me fazën e diskutimeve.

“Dua të bëj me dije edhe njëherë që neni 142 i rregullores së kuvendit i njeh dhe i garanton të drejtën presidentit për t’u shprehur në komisionin e ligjeve.

Ndërsa lidhur me kohën është në kompetencat tona që të përcaktojmë se në cilën ditë dhe në cilën orë do të dëgjohet presidenti.

Unë nuk e di se cfarë axhende më të rëndësishme ka për presidentin e republikës së Shqipërisë sesa firma e 49 deputetëve të cilët kanë firmosur shkarkimin e tij për shkeljet e bëra gjatë fushatës zgjedhore.

Presidenti e ka përcaktuar si kohë të pamjaftueshme, por kjo nuk e heq mundësinë që ai të dëgjohet në këtë komision edhe nëse parlamenti të votojë për ngritjen e komisionit hetimor.

I bëra këto sqarime për t’u futur në rendin e ditës të përcaktuar që dje. Sot do të vazhdonim me dëgjesën e presidentit të republikës por duke qenë se nuk u paraqit sot për të dhënë sqarime unë ju ftoj të vazhdojmë me fazën e diskutimeve”.