Nga Rifat Plaku     

Durrës, 25 qershor 2014– Kodra e qytetit të Durrësit, që e ka fillesën e saj nga amfiteatri antik e deri në Portoromano, është pjesa më simpatike e qytetit. Ajo qëndron si një kurorë mbretërore mbi qytetin, nga më të vjetrit në rajon e më tej. Gjithashtu kjo kodër luan një rol të veçantë në mbrojtjen e qytetit nga erërat dimërore të detit. Kjo kodër shumë herët, e veshur me gjelbërimin natyral gëmushor, ishte dhe një rezervat i mjaftueshëm shpendësh e kafshësh të egra që përmbushte kënaqësitë e amatorëve të gjuetisë për atë kohë. Pas kodrës, ana perendimore e saj, veçanërisht nga nën vila mbretërore e deri në fillim të zonës së Kallmit, përbëhej nga shtresa të shumta argjilore. Për shkak të kësaj shtrese, por edhe nga shfrytëzimi i kësaj lënde, gjelbërimi ishte shumë i varfër. Pikërisht kjo zone e zhveshur ndodhej mbi gjiun e vogël të Currilave. Ky gji ka qenë vendi më i dashur dhe më i preferuari, kryesisht për fëmijët, por edhe të rriturit. Në këtë gji të vogël, atëherë larg qendrës së banimit, me një pastërti krejtësisht natyrale, e mbrojtur nga erërat karakteristike verore, kalonin pushimet fëmijët dhe familjet e tyre durrsake.

Në këtë plazh të vogël, zhvillonin garat e para fëminore në pika natyrale siç ishte ajo e “Gurëve të stafetës” tek “Pllakat”, kampionët e ardhshëm të stileve dhe lojrave të ndryshme ujore. Disa nga këta ishin Arben Rrogozhina, Burhan Truma, Daut Rexha, Dhimitraq Murati, Eqerem Korra, Ilmi Kapllani, Jani Kurti, Kastriot Karamuça, Mirban Kadiu, Myslim Dedja, Naxhi Stringa, Niko Korani, Osman Rexha, Rifat Murati, Sul Tufa, Sabri Kapexhiu, Shaqir Kapexhiu, Shyqyri Rexha, Shuaip Rexha, Shyqyri Gjepali, Xhevat Malltezi, Xhavit Balla, Xhavit Sharra e shumë të tjerë tjerë.

Me këtë rast desha të theksoj se të katër vëllezërit Rexha njiheshin nga qytetarët durrsakë si “Djemtë e detit”.Gjithashtu nuk mund të le pa përmendur simbolet e notareve durrsake Luçi Bikerdhelin dhe dy motrat Vjollca e Flutura Mullaliu. Siç shihet, shumica e këtyre janë kryesisht nga lagjet që përbëjnë veshjen e kësaj kodre, të lagjes “Kala”, “Sefersat”, “Stanorët”, lagja e “Re”, dhe ajo e kodrës së  “Kokomanëve”.

Objekti i parë që i dha pamjen e duhur kësaj kodre, ishte vila e mbretit Zog, e cila u ndërtua si dhuratë nga tregtarët e qytetit. Pikërisht në atë kohë u mbollën dhe pishat e para rreth pallatit, të cilat së bashku me selvitë e kishës ortodokse dhe me ndërtesën e konsullatës  austriake, krijuan kartolinat e para të kësaj zone. Në këtë periudhë në gjirin e Currilave ndodhej një fabrikë e vogël për prodhimin e tullave dhe tjegullave që në atë kohë nuk ndikonte në ndotjen e ambjentit, ndaj dhe durrsakët pëlqenin dhe frekuentonin me kënaqësi këtë plazh modest.

Pas luftës antifashiste, me largimin e fabrikës së tullave, u ngrit kampi i parë i pushimeve verore për fëmijë ku përveç atyre vendas, shqiptarë, kalonin pushimet dhe mjaft fëmijë të vendeve mike. Kjo ishte periudha që gjallëroi dhe vuri në funksion të plotë këtë plazh simpatik të durrsakëve. Me kushtet dhe kujdesin që u krijua në atë kohë, u rrit shumë edhe numri i pushuesve. Më pas, për shkak të një shteti totalisht të varfër dhe me drejtues që nuk trashëgonin kulture qytetare, ky vend aq simpatik, u la plotësisht pas dore.

Ai vazhdonte të frekuentohej me admirim e nostalgji vetëm nga familjarët e vjetër durrsakë, pjesë e të cilave ishin ata djem e vajza që përmendëm më lart. Vetëm nga vitet ‘70 të shekullit të shkuar, me nismën personale të z. Marko Karroli, ish kryetar i komitetit ekzekutiv të qytetit, filloi rilulëzimi i këtij plazhi tradicional durrsak. U ndërtuan pesë a gjashtë pallate trekatëshe që shërbenin si hotele për pushuesit vendas, por edhe për qytetarë të qyteteve të tjera. U bë mbrojtja nga rrëshqitjet e kodrës me mure guri të mbështjella me rrjetë metalike. 

U asfaltua dhe u ndriçua e gjithë rruga. U instalua i gjithë sistemi hidraulik, u ndërtua një klub mjaft modern për kohën dhe të gjitha këto u finalizuan me një lulishte shumë simpatike dhe me një personel të mjaftueshëm për mirëmbajtjen e këtij plazhi. Kjo periudhë ka qenë më e bukura, më e preferuara dhe më e paharrueshmja për durrsakët dhe pse jo edhe për të gjithë ata që patën fatin të kalonin një pjesë të pushimeve verore në këtë plazh. Siç e them edhe në titullin e këtij shkrimi, “Na ishte një herë”, sepse sot ky plazh aq simpatik e aq i dashur për durrsakët e vërtetë, u shkatërrua përfundimisht, me dashje, nga duar dhe mendje kriminale, nga ndërtimet fare pa kriter dhe pa asnjë përshtatje, pikërisht për t’ia harruar emrin këtij gjiu e plazhi shumë domethënës për këtë qytet.

/Gazeta “Bulevard”/