Tiranë. 12 qershor 2014 – Mehmet Shehu mund ta kishte vrarë Enver Hoxhën dhe të merrte pushtetin ende pa u çliruar Shqipëria. Kjo nuk është një hipotezë por një fakt i zbuluar nga dokumentet sekrete të CIA-s, të cilat tashmë janë deklasifikuar. Oficerët e shërbimit sekret amerikan ia kanë kërkuar këtë Mehmetit në prag të çlirimit të Tiranës. Por…
“Kjo është një histori e parrëfyer më parë e operacioneve sekrete të OSS-it (Zyrës për Shërbime Strategjike, pararendëse e CIA-s) amerikan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se si Shtetet e Bashkuara, krahas anglezëve, ndihmuan komunistët të mundnin nazistët dhe të merrnin pushtetin në vend”. Kështu e nis rrëfimin e tij shkrimtari dhe historiani i njohur amerikan Peter Lucas në një libër mbi këtë temë, të cilin unë pata shansin ta sjell në shqip. Është një libër antipod i librit me kujtime të Enver Hoxhës “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Ose, për të qenë më korrektë, janë dy tablo të përkundërta rreth një të vërtete historike. Ndryshimi midis dy librave qëndron në faktin se, ndërsa libri i Enver Hoxhës mbështetet vetëm në kujtime të shkruara rreth 40 vjet më pas, libri i Lucas-it është i bazuar në dokumente autentike të shkruara në zjarrin e luftës, në kabllogramet origjinale të kohës të përcjella nga misionarët amerikanë në momentin kur kanë ndodhur ngjarjet dhe, si i tillë, ky libër shmang emocionet e momentit dhe ka një besueshmëri të admirueshme.
Në këtë libër për herë të parë zbulohet se amerikanët kanë pasur një ide të qartë se kush duhej të vihej në udhëheqje të vendit pas çlirimit. Është një propozim konkret që zëvendës shefi i misionit amerikan ia ka bërë Mehmet Shehut, një prej figurave më të spikatura të luftës, komandantit të Divizionit të Parë Sulmues në prag të çlirimit të Tiranës. Pse thotë misionari amerikan se Mehmeti mund ta kishte vrarë Enverin e të merrte pushtetin dhe cili ishte reagimi i Mehmetit për këtë propozim? Pasi u deklasifikuan dokumentet sekrete të shërbimit inteligjent amerikan disa vjet më parë, Peter Lucas iu fut punës dhe gjeti një material të bollshëm mbi të vërtetën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, sipas amerikanëve. Mbi bazën e këtyre të dhënave ai ka ndërtuar librin “Misioni Amerikan në Shqipëri – Operacionet sekrete të OSS-it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Cili ishte pseudonimi i vërtetë i Harri Fulcit dhe një profeci e tij për ata që do të udhëhiqnin Shqipërinë e pasluftës…
***
Misioni amerikan pranë shtabit të Enver Hoxhës
Peter Lucas shkruan se si kanë mbërritur në Shqipëri njerëzit e shërbimit inteligjent amerikan dhe si u bashkuan me shtabin e Enver Hoxhës. I përbërë nga një grusht oficerësh të zotë dhe nja tridhjetë njerëzish të tjerë (shumica e të cilëve emigrantë shqiptarë), OSS-i futi agjentët e tij në Shqipëri nëpër natë, duke kapërcyer detin Adriatik të patrulluar nga nazistët me varka të shpejta dhe anije peshkatarësh të kapura italianëve. Atje ata vepruan nëpër shpellat bregdetare përgjatë gadishullit të izoluar të Karaburunit, duke iu shmangur patrullave gjermane para se të bashkonin forcat me të vetmin grup të rezistencës shqiptare me vullnet për të luftuar nazistët – partizanët komunistë.
Ishte ky mision i OSS-it që, krahas atij britanik, ndihmoi Enver Hoxhën dhe partizanët e tij komunistë të mposhtnin nazistët dhe të çlironin vendin. Amerikanët dhe anglezët e furnizuan Hoxhën me armë, ushqime, shërbime sekrete, luftëtarë dhe këshilltarë. Ata kërkuan të bëheshin sulme ajrore për të ndihmuar forcat e Hoxhës dhe luftuan me partizanët kur u pa e nevojshme. Pavarësisht faktit që Hoxha adhuronte diktatorin sovjetik Josif Stalin dhe Bashkimin Sovjetik, rusët nuk u dhanë ndonjë mbështetje ushtarake partizanëve gjatë gjithë luftës. Megjithatë, kjo mungesë e mbështetjes materiale nuk e zvogëloi admirimin e Hoxhës për Stalinin.
Megjithëse operacionet e Aleatëve (pa Sovjetët) ishin një sukses, më vonë ato u shndërruan në një pengesë për Shtetet e Bashkuara, sepse mbështetja amerikane për fitoren e komunistëve e trimëroi Hoxhën t’i kthente shpinën Perëndimit, kërkoi një aleancë të Luftës së Ftohtë me Stalinin dhe vendosi një shtet diabolik policor që zgjati për gati gjysmë shekulli. Pas luftës misioni i OSS-it u arkivua dhe u braktis.
Ndërkohë që Hoxha ndërmori një luftë guerrile kundër nazistëve, ai gjithashtu zhvilloi një luftë civile kundër Ballit Kombëtar nacionalist, një luftë që e fitoi. Pas mundjes së Ballit, Hoxha ekzekutoi shumë nga anëtarët e tij, ndërkohë që të tjerët u arratisën në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara, ku u mirëpritën si luftëtarë antikomunistë të lirisë. Fakti që Balli Kombëtar bashkëpunoi me nazistët ishte harruar disi. Në mjedisin antikomunist të viteve që pasuan luftën, ishte e mjaftueshme që këta bashkëpunëtorë të nazistëve kishin luftuar komunistët, të cilët Shtetet e Bashkuara i kishin mbështetur më përpara.
Një nga qëllimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ishte të mbante disa divizione gjermane në Shqipëri dhe përqark saj nën sulmin e përhershëm të partizanëve, në mënyrë që ato të mos dërgoheshin si përforcues kundër Aleatëve, të cilët ishin duke luftuar gjermanët në çizmen e Italisë. Një qëllim tjetër ishte të mbaheshin gjermanët jashtë balancës në lidhje me mundësinë e ndonjë zbarkimi të Aleatëve në brigjet shqiptare. Këtë anglezët e bënë mirë pasi Grupi i Shkretëtirës i Distancave të Largëta (Long Range Desert Group – LRDG) bëri disa inkursione përgjatë bregdetit shqiptar si dhe në brendësi. Sfida e tretë ishte shpëtimi i pilotëve aleatë të rrëzuar të detyruar të hidheshin nga aeroplanët e tyre të dëmtuar gjatë kthimit nga mësymjet bombarduese në zonat naftëmbajtëse të Rumanisë.
Pak dihet për këto ngjarje në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara. Të dhënat e OSS-it, që më vonë u shndërrua në Agjencinë Qendrore të Informacionit (CIA), nuk u bënë publike deri në vitin 1975, kur CIA filloi kthimin e tyre në Arkivat Kombëtare (National Archives) dhe Regjistrimin e Fakteve (Records Administration). Në Shqipëri Hoxha i asgjësoi të gjitha dokumentet që nuk flisnin në të mirë të kultit të tij dhe të Partisë Komuniste Shqiptare. Ai e mbushi OSS-in amerikan plot me tone sarkastike duke revizionuar historinë e luftës. Kurse me anglezët tallej. Hoxha nuk i pëlqente amerikanët, por anglezët i urrente. Megjithëse disa oficerë anglezë që kanë luajtur role të rëndësishme në Shqipëri kanë botuar libra mbi përvojën e tyre, ata gjithashtu shmangin amerikanët nga ngjarjet. Hoxha, me të marrë pushtetin, i hoqi qafe amerikanët dhe anglezët. Më 1986, një vit pas vdekjes së Hoxhës, unë isha i pari gazetar amerikan që vizitoja Shqipërinë në tridhjetë vjet.
Megjithëse janë botuar shumë libra mbi OSS-in gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky është libri i parë për operacionet e OSS-it në Shqipëri. Ky është gjithashtu i pari libër që tregon mbi atë çfarë bëri OSS-i në Shqipëri për të ndihmuar Enver Hoxhën dhe partizanët në fitoren e luftës kundër nazistëve në atë vend.
Tom Stefani dhe të tjerët
Gjatë misionit sekret, oficerët amerikanë të OSS-it si Tom E. Stefani nga Nju Hempshiri, i cili fliste shqip, dhe togeri i korpusit të Marinës Nik Kukiç nga Ohajo, i cili fliste rrjedhshëm serbisht, punuan me Enver Hoxhën gjatë muajve vendimtarë të luftës së Hoxhës kundër gjermanëve. Këta burra, tok me kapitenin e OSS-it Xhejms Hudson, një ndër oficerët më të zotë, ndërtuan një seri hallkash të shërbimit të fshehtë që i dhanë Aleatëve informacione tepër të çmuara mbi gjermanët. Këta burra gjithashtu kaluan shtigjet me aktorin amerikan Sterling Hajdn, një kapiten i OSS-it në Korpusin e Marinës i cili u pilotua nga Italia për në brigjet ballkanike me një anije të vogël, si dhe majori Entoni Kuejl, aktori anglez, i cili u sistemua në një shpellë së bashku me amerikanët.

Ja si e përshkruan takimin e parë me Enver Hoxhën në Helmës, zv/shefi i misionit amerikan, Nik Kukiç:
“Unë ngriva nga shfaqja e Hoxhës”, thotë Kukiçi. “Ai ishte i gjatë dhe mjaft tërheqës. Ai ishte një burrë magjepsës, mjaft i bukur, si një yll kinemaje. Një tip i tillë mund të ishte parë vetëm nëpër filma. Ai mbante një uniformë që i shkonte shumë mirë. Ai mund t’ju priste e të bisedonte me ju duke buzëqeshur. Por, mandej, ai mund të kthehej kundër jush në një farë kohe dhe të ndryshonte krejtësisht qëndrimin. Ai ishte i pamëshirshëm”…
Kapiten Stefani, i cili kishte lindur nga prindër emigrantë shqiptarë dhe mund të fliste dialektin tosk të Hoxhës në gjuhën shqipe, e njohu diktatorin komunist më mirë se kushdo tjetër. Anglezët, marrëdhëniet e të cilëve me amerikanët mbetën idhnake gjatë luftës në Shqipëri, nuk e duronin dot intimitetin e tij me Hoxhën. Pika kulmore e karrierës ushtarake të Stefanit arriti kur ai parakaloi me Hoxhën në Tiranë pasi qyteti ishte çliruar në nëntor 1944. Jeta e Stefanit pas lufte ishte e trishtuar derisa vdiq në rrethana dëshpëruese.
Rrëfimi i Peter Lucasit
Një pjesë e mirë e materialeve të këtij libri janë fryt i shumë udhëtimeve në Shqipëri, ku unë kam intervistuar partizanë të moshuar që kishin luftuar me Hoxhën, si dhe dëshmitarë të ngjarjeve që ndodhën gjatë luftës. Unë vizitova bazat e fshatrave si në Dukat, Tragjas, Borsh, Dhërmi, Kuç, Himarë e të tjera ku janë zhvilluar shumë ngjarje. Unë kam qenë mbi Malin e Dajtit dhe nëpër gërxhet e Çermenikës ku Hoxha gati u kap nga gjermanët. Kam udhëtuar në veri të Shqipërisë nga Shkodra deri lart në Bogë dhe në fshatin e izoluar malor të Thethit. I kam rënë lart e poshtë gadishullit të Karaburunit nga toka dhe nga deti. Kam qenë në shpellën e njohur si Panorama (në origjinal Seavieë) përgjatë bregdetit që kontrollohej nga OSS-i si dhe në Gjirin e Gramës. Kalova ca kohë në shtëpinë e Xhelil Çelës përgjatë rrugës bregdetare, të cilën OSS-i e kishte një bazë të sigurt, si dhe kam përshkuar rrugën e bregdetit nga njëra anë e saj në tjetrën. Kam ndjekur itinerarin që kishin përshkuar partizanët në ndjekje të armikut dhe kam qëndruar në qytete si Saranda, Vlora, Përmeti, Korça, Berati, Gjirokastra, Tirana, Elbasani, Peshkopia, Pogradeci e tjetërkund. Kam udhëtuar i hipur mbi gomar nëpër malet e Shqipërisë jugore ku Enver Hoxha kishte vendosur shtabin e tij.
Në Tiranë unë pata mundësi të merrja informacion nga Biblioteka Kombëtare dhe nga Muzeu Historik Kombëtar si dhe isha fatlum që sigurova një kopje të librit të Gjeneral Mehmet Shehut Lufta për Çlirimin e Tiranës, një histori autentike e Shehut për atë luftë, një libër që nuk është përkthyer ende nga gjuha shqipe. Lehtësirat në Bibliotekën Publike të Bostonit më siguruan kopjet e mikrofilmave të disa gazetave shqiptaro-amerikane që ishin botuar në Boston në dekadat deri në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj. Kërkimet e mija më çuan në Bibliotekën Publike të Lakonisë në Nju Hempshir, Muzeun e Luftës së Dytë Botërore në Natik, Masaçusets, Bibliotekën Shtetërore të Masaçusetsit, si dhe në arkivat e Boston Globe dhe Boston Herald, për të cilat kisha punuar.
Libri nuk do të ishte shkruar pa patur mundësinë e shfrytëzimit të dokumenteve të OSS-it në Arkivat Kombëtare të College Park në Merilend. Atje në kuti njëra pas tjetrës ndodhen mijëra raporte dhe dokumente origjinale dërguar nga agjentët e OSS-it në Shqipëri Herri T. Fulcit (Harry T. Fultz), shefi i zyrës shqiptare të OSS-it në Bari, Itali. Shumë nga këto materiale janë cituar në libër. Gjithashtu unë u mbështeta fort në intervistat e drejtpërdrejta personale me pak nga njerëzit e OSS-it të mbetur gjallë. Një burim kyç i shumë intervistave si me telefon dhe në internet në shtëpinë e tij në Delaëare, ishte Nik Kukiçi, i cili kishte punuar me Stefanin dhe ishte në krah të Gjeneral Shehut në Luftën e Tiranës. Një tjetër burim i rëndësishëm ishte Kostas “Gus” Ruci, të cilin e kam intervistuar në shtëpinë e tij në Napoli, Florida, si dhe shumë herë me anë të telefonit apo me postën elektronike. Ruci dhe vëllai i tij i ndjerë, Xhorxhi, ishin radio-operatorë që punuan me Hudsonin dhe Stefanin. Si Kukiçi dhe Ruci ishin bujarë jo vetëm me kohën që më kushtuan, por edhe më dhanë fotografi dhe dokumente. Intervistova gjithashtu Semeon Simallarin, një tjetër radio-operator në shtëpinë e tij në Wayland, Masaçusets, si dhe bisedova me Hudsonin me anë të internetit.
Këta njerëz dhe shqiptarët që punuan me ta – disa duke sakrifikuar edhe jetën – meritojnë ta kenë historinë e tyre të shkruar. Unë e quaj veten me fat që jam njeriu që po e tregoj atë.
Profecia e Herri Fulcit
56-vjeçari Fulc, një veteran i Luftës së Parë Botërore, ishte rekrutuar nga OSS-i më 1943. Në atë kohë ai ishte drejtor i një shkolle speciale në shtetin e Ilinoisit. Fulci kishte shkuar në Shqipëri në vitin 1922 si drejtor i një shkolle teknike në Tiranë, një shkollë e financuar nga Kryqi i Kuq i Të Rinjve amerikanë. Djemtë dhe të rinjtë shqiptarë më me fat patën mundësi aty të mësonin mjeshtëritë profesionale moderne, mekanikën bujqësore si dhe anglisht. Ajo ishte një shkollë e pazakontë për Shqipërinë e prapambetur, e cila tërhoqi djem nga fshatrat dhe nga fiset e malësisë. Shumë nga djemtë largoheshin për herë të parë nga familjet e tyre për të shkuar në shkollë. Aty studentët e rinj morën njohuritë fillestare të një teknologjie që i mungonte Shqipërisë. Pasi kishin kaluar ca vite, shkolla u bë i vetmi burim energjetik që ndriçonte Tiranën, prodhonte akull për qytetin gjatë verës në një punishte të prodhimeve të qumështit; futi metoda të përparuara në administrim si dhe teknika moderne në pemëtari, perime dhe drithëra; iu dha fermerëve një makinë shirëse; kishte një nga të paktat shtypshkronja në vend si dhe ndërtoi 16 godina në Tiranë, përfshi edhe atë të Legatës Amerikane. Fulci e drejtoi shkollën deri në vitin 1933, vit në të cilin shkolla u shtetëzua nga qeveria e Zogut. Në këtë kohë ai u kthye në Shtetet e Bashkuara.
Fulci u fut në OSS më 1943.Ai ishte një ekspert për Shqipërinë dhe njihte shumë nga shqiptarët që po luftonin për atdheun e tyre. Ata kishin qenë studentë të tij. Emri i koduar i Fulcit në OSS ishte Gejts (Gates), por për shkak të moshës së tij, njerëzit e OSS-it me përkëdheli e thërrisnin ‘Plaku’. Detyra e tij ishte të drejtonte organizatën që dërgonte agjentë në Shqipëri, të përzgjidhte dhe të interpretonte njoftimet sekrete që ata përcillnin. Fulci ishte i bindur që Aleatët duhej të mbështesnin me furnizime partizanët dhe vetëm partizanët, sepse ata ishin i vetmi grup i rezistencës që po luftonte me gjermanët. Ai nuk e duronte dot politikën angleze për të mos iu dhënë armë komunistëve ngaqë komunistët ishin futur në një luftë civile me ballistët. Anglezët donin t’i jepnin një mësim Hoxhës dhe partizanëve. Mirëpo, tregon Fulci, me këtë veprim ata nuk bënë gjë tjetër veçse ndihmuan gjermanët, sepse Balli Kombëtar nuk pranoi të luftonte kundër gjermanëve, përkundrazi bashkëpunoi me ta kundër partizanëve.
Në memorandumin drejtuar Filip Adamsit në Uashington më 22 shkurt 1944, Fulci thotë se gjermanëve iu duheshin pesë divizione për të pushtuar Shqipërinë. Por ngaqë ballistët dhe pro-zogistët nuk u përfshinë në luftë, gjermanët i reduktuan 50 për qind forcat e tyre. “Ndoshta divizionet që mungojnë në Shqipëri sot janë duke luftuar në Ancio (Itali) si forcë kryesore për të vrarë amerikanët dhe anglezët, ndërsa ne përpiqemi të gjejmë mënyrën se si t’u japim një ‘leksion të mirë’ partizanëve kokëfortë”, thoshte Fulci. Aleatët zbarkuan në Ancio më 22 janar. Në shkurt gjermanët ndërmorën një kundërofensivë të furishme që rrezikoi t’i hidhte Aleatët në det.
“E vetmja rezistencë ndaj gjermanëve është ajo që po bëhet nga partizanët”, thoshte Fulci, megjithë mungesat që ata kanë në furnizime. Dy pilotë amerikanë panë me sytë e tyre një njësi partizane që tërhiqej nga një ofensivë gjermane në dhjetor në fshatrat Kuç dhe Golem, shkruan Fulci. “Ata dëgjuan një oficer anglez që tërheqjen e lidhte me mungesën e luftimeve serioze [nga partizanët] duke e ditur fort mirë se këta kundër të cilëve ai bënte vërejtje ishin trishtuar kohët e fundit nga ato pak municione që iu ishin hedhur, ndërsa 100 milje larg në Itali kishte një tepri [municionesh] nëse ndokush do të përpiqej seriozisht t’i dërgonte ato atje ku ndihej nevoja e tyre”. Në një mënyrë disi profetike, Fulci shtonte se “Ne nuk duhet të çuditemi nëse më vonë do të shohim këta njerëz të mos i duan Aleatët; anglezët sidomos, por edhe ne”.
Nik Kukiç: Ja çfarë bisedova me Mehmetin
Kjo është dëshmia e zh/shefit të misionit amerikan, Nik Kukiç, i cili ishte atashuar me një pjesë të misionit të tij pranë shtabit partizan Divizionit të Parë sulmues të drejtuar nga Mehmet Shehu, që po përgatiste mësymjen përfundimtare për çlirimin e kryeqytetit. Është një moment kulmor i këtij misioni në Shqipëri. Biseda që ka bërë Kukiç me Mehmet Shehun nuk mund të ketë qenë një bisedë private apo e rastësishme. Ai ishte një përfaqësues i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara dhe për çdo gjë që shihte, flitej apo dëgjonte ai raportonte në qendër. Për më tepër, kjo bisedë është bërë më shumë se njëherë. Biseda është bërë një ditë fundtetori të vitit 1944 në fshatin Priskë në periferi të Tiranës. Këtë ia ka dëshmuar vetë Kukiçi autorit Peter Lucas gjatë shkrimit të këtij libri.
Rrëfimi i Kukiçit: Tashmë Shehu ishte jashtë portave të Tiranës duke bërë planin e sulmit ndërkohë që Hoxha, udhëheqësi i tij, ishte nja 160 km larg në Berat duke diskutuar për paradën e fitores. Edhe nëse Shehu fshihte ndonjë armiqësi ndaj Hoxhës ai nuk e shfaqi atë. Ndoshta donte që kështu të mbetej. Kukiçi, i cili besonte se Shehu duhej të kishte qenë njeriu që duhej të merrte drejtimin e vendit, kujton se ia ka thënë këtë mundësi Shehut në disa raste.
“Ai mund ta kishte marrë pushtetin”, thotë Kukiçi. “Ai po bënte luftën. Ushtarët partizanë e pëlqenin Shehun. Kishte intimitet midis tij dhe luftëtarëve. Njerëzit e donin Shehun sepse ai ishte një luftëtar që po luftonte për vendin e tij. Ai kishte një nam të mirë nga lufta e Spanjës. Ai u kthye në Shqipëri si një hero. Ai ishte tepër i disiplinuar dhe shumë i fortë. Dhe gëzonte respekt. Hoxha e la atë të merrej me luftën dhe Shehu i la Hoxhës punët e politikës. Unë nuk mendoj se Hoxha kishte ndonjë plan për betejën e Tiranës. Ai ia la Shehut ta bënte atë. Unë i thashë Shehut, ‘Mehmet, ty të duan luftëtarët. Populli të do ty. Ti duhet të marrësh pushtetin. Ti duhet ta drejtosh vendin’. Ai m’u përgjigj, ‘Niko, mos bisedo me mua për gjëra të tilla. Politika është zanat i Hoxhës, jo i imi. Larg meje, Niko’.”
Shehu i mbante takimet me Kukiçin dhe oficerët e tjerë aleatë lidhur me Divizionin e Parë në shtabin e tij në një shtëpi të braktisur në verilindje të Tiranës. Shehu i drejtonte mbledhjet në gjuhën shqipe, ndonëse herë-herë fliste anglisht ose italisht. Kur Kukiçi donte të fliste me të vetëm për vetëm, Shehu e takonte atë në terren të hapur ku ata mund të bisedonin pa qenë të vëzhguar. “Atje unë do t’i thosha se ai duhej të merrte pushtetin. Ai e dinte se mund ta merrte pushtetin në vend. Ai mund ta kishte vrarë Hoxhën. Por ai nuk donte ta bënte këtë”, është shprehur Kukiç.
/gazeta “Dita”/





