Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 12 qershor 2014 – Nga fillimi i majit deri në fillim të qershorit karteleve kolumbiane të kokainës “u eci ters” me operacionet e tyre të shndërrimit të Shqipërisë në një stacion të rëndësishëm të furnizimit me shumicë të tregut evropian të kokainës. Ja një historik i shkurtër i këtij dështimi:
Në portin italian të kontejnerëve Gioia Tauro, gjatë kësaj periudhe u realizuan dy sekuestrime mjaft të rëndësishme të sasive të kokainës së ardhur nga Amerika Latine. Nga kontaktet tona me kolegët kalabrezë mësuam se këto dy kapje droge ishin pjesë e një superoperacioni ndërkombëtar për të penguar shndërrimin e Shqipërisë pikërisht në një stacion shpërndarje kokaine me shumicë për tregun e etur evropian. Pavarësisht se doganat italiane dhe Roja e financës u përpoqën t’i portretizonin këto dy kapje droge si suksese lokale të bazuara në analizën e profilit të rrezikut, faktikisht për një gazetar investigativ ishte plotësisht e qartë karakteri ndërkombëtar i kësaj goditje anti drogë. Sot në botë ka vetëm një agjenci anti drogë me vullnetin, kapacitetet dhe aftësitë për të organizuar operacione anti drogë në shkallë globale, në rastin tonë në tre kontinente: në Amerikën e Veriut, në Amerikën Latine dhe në Evropë. Kjo agjensi është DEA (Drugs Enforcement Agency). Në Itali, në Portin e Gioia Tauros u kapën 25 kg kokainë e pastër, e fshehur në një ngarkesë legjitime bananesh, me destinacion një kompani shqiptare. Në rastin e dytë, po në këtë port u kapën 78 kile kokainë e pastër, e fshehur në një ngarkesë legjitime mielli, me destinacion përsëri një firmë shqiptare.
Në Ekuador, policia antidrogë lokale kapi 89 kile kokainë të pastër në një kontejner të ngarkuar për koincidencë përsëri me banane, përsëri me destinacion një kompani shqiptare, që duhet të shkarkohej në Portin e Durrësit.
Në Malin e zi, dogana malazeze sekuestroi 250 kile kokainë (sekuestrim rekord për këtë doganë) po me destinacion një kompani shqiptare, po me ngarkesë legjitime, banane, e ardhur përsëri nga Ekuadori. Në këtë rast për të maskuar natyrën e vërtetë të operacionit u fol përsëri për profilin e analizës së rrezikut, për vula doganore të kontejnerit të dëmtuar etj. Kolegët malazezë, që panë vulën na siguruan se ishte vulë e tipit “Security seal”, e prodhuar enkas për t’i rezistuar dëmtimit dhe për të lënë gjurmë të dukshme në rast dëmtimi.
Të gjithë rrugët të çojnë te dora e fuqishme e DEA-s amerikane, në të tëra këto goditje. Nga analiza e fakteve të bën përshtypje se trafiku i kokainës gjithnjë me destinacion Shqipërinë është goditur në portin e nisjes në Ekuador. Është goditur në portin e tranzitit në Gioia Tauro, ku anijet tip “super carrier”, që mbajnë mijëra TEU kontejnerë, i shkarkojnë këto kontejnerë për t’u ringarkuar në anije tip “feeder”, të cilat mbajnë qindra TEU kontejnerë të përshtatshme për operacione ngarkim shkarkimi në porte relativisht të vegjël si psh. Tivari apo Durrësi. Vetëm në Shqipëri nuk është goditur ky lumë kokaine me destinacion Shqipërinë. Pse të ndodhë kështu vallë?
Në rastin e 250 kileve kokainë sipas kolegëve malazezë rezulton se trafiku është organizuar nga një shqiptar etnik me origjinë nga qyteti shqiptar i Ulqinit. Bëhet fjalë për Rifat Fteja-n, i cili është një i “njohur” i vjetër i DEA-s amerikane. Rifati ka qenë i skeduar nga DEA si trafikant i mesëm ndërkombëtar heroinë. Ishte pikërisht DEA amerikane, që në bashkëpunim me policinë zvicerane, meksikane dhe me policinë amerikane të “Bern County Office” si edhe me pjesëmarrjen e zyrës lokale të DEA-s në Çikago i sekuestruan Rifatit 84 kile heroinë në qershor të vitit 1997. Kësaj rradhe Rifati kishte ndërruar “mall”, nga heroina kishte shkuar te kokaina.
Pse jo në Shqipëri!
Na bën përshtypje pse DEA amerikane në asnjë rast nuk ka bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për të luftuar këtë trafik ndërkombëtar kokaine, në sasi të konsiderueshme, që për Shqipërinë do të kishte pasoja të rënda deri në cënim të sigurisë kombëtare. Pse jo me Shqipërinë, kur shqiptarët janë kombi më pro amerikan në Evropë? Pyetja jonë merr karakter imperativ po të kemi parasysh se kryepolici shqiptar Artan Didi është një polic profesionist, me përvojë të vjetër në bashkëpunimin me amerikanët, deri në akte heroizmi të karakterit vetmohues. Ky fakt është një indicie e rëndësishme për të bërë të besueshëm variantin, që amerikanët nuk bashkëpunuan me shqiptarët për të mbrojtur Evropën nga një lumë kokaine dhe për të mbrojtur sigurinë e brishtë kombëtare të Shqipërisë nga një lumë narko-dollarësh dhe narko-trafikantësh ndërkombëtarë me të tëra pasojat, që sjellin këto flukse, jo për shkak mosbesimi në aftësitë apo besnikërinë e policisë shqiptare. Amerikan rezulton që nuk u besonin politikanëve shqiptarë, nuk i besonin kontrollit civil mbi policinë e ushtrinë shqiptare.
Ky lumë kokaine në fund të kësaj pranvere dhe në fillim të kësaj vere “zgjodhi” drejtimin e Shqipërisë, sepse u bënë gati kanalet për transportin e tij drejt tregut të madh, të pasur e të etur evropian në kushte të avantazhuara konkurence me rrugën iberike apo hollandeze të hyrjes së kokainës në Evropë. Avantazhi konkurencial i Shqipërisë ishte rruga ajrore drejt Italisë d.m.th. drejt një tregu të madh kokaine, drejt një vendi, ku strukturat e mirëorganizuara të mafies italiane në bashkëpunim me “zengjinët” e rinj shqiptarë do të bënin konkurueshmërisht më lirë e më të sigurtë furnizimin e tregut edhe në vende të tjera evropiane. Nuk është koinicidencë që kokaina ia mësyu Shqipërisë me rrugë detare, pikërisht kur u vunë në eficencë pistat e para ajrore (air strips) private. Infrastruktura e tranzitimit ishte gati, thjesht mbetej në pritje të sasive gjigande të drogës, shumica e të cilave u interceptuan nga DEA dhe aleatët e saj evropianë (italianë e malazezë) dhe latino-amerikanë (ekuadorianë).
Politikanët përgjegjës, që e bënë Shqipërinë vend interesant për narcos-at latino-amerikanë duhen kërkuar sa në atë grup, që një vit më parë hëngri një milion shuplaka, aq edhe te Rilindasit, që qeverisin Shqipërinë apo në aleatët e tyre, që ecin më shpejt drejt….
Përgjegjësia për këto zhvillime të rënda duhen kërkuar edhe te Shkëlqesia e tij z. Arvizu, i cili para se të dalë për piknik kanioneve të Shqipërisë, bën mirë të konsultohet me vartësit e tij të specializuar se me kë mund të dalë për piknik e me kë nuk mundet. Në këte konteks kujtojmë Ambasadoren zj. Marsi Ris, që për tre vjet nuk i shkeli e nuk i shkeli në zyrë, nuk i shtrëngoi një herë dorën një kryebashkiaku të përfolur si të lidhur me krimin e organizuar shqiptar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





