Bashkëshortja e ish-kryeministrit tregon për atmosferën festive.
30 dhjetor 2013- Ne gjithe keto vite demokraci, atë që ne të gjithë jemi mësuar ta shohim herë si zonjën e parë të vendit, herë si gruan e Kryeministrit apo si atë të numrit një të Partisë Demokratike, janë ca njerëz të tjerë që e shohin gjithmonë njësoj: si gjyshen e dashur që gatuan gjithfarë gjërash të shijshme për ta e u blen dhurata për t’i gëzuar… si të gjitha gjyshet.
Vetëm se, në rastin e një familjeje politikani, siç është Sali Berisha, prej ekranit të televizorit apo faqeve të gazetave që nuk kursehen për të qenë të ashpër me ta, njerëzit nuk mund të depërtojnë te ajo pjesë e tyre që është e njëjtë për të gjithë. Shtëpia, festa, dashuria!
Në këtë prag ndërrim vitesh, Liri Berisha na ka pritur për të na treguar festat në shtëpinë e saj të madhe që mbushet nga të qeshurat e zërat e nipërve e mbesave. Kjo nuk ndodh vetëm këto vite që dy fëmijët e saj, Shkëlzeni e Argita, janë bërë me fëmijë. Jo. Liri Berisha e kujton gjithnjë kështu festën, që në shtëpinë e saj, kur ajo vetë ishte fëmijë e deri sot kur kujdeset të përgatisë gjithçka me po atë dashuri që dikur bënte mamaja e saj…
Sot, kur ju jeni bërë gjyshër, e keni plot 6 nipër e mbesa, e parafytyroj gëzimin dhe zhurmën e shtëpisë në ditë festash, por të flasim pak për të shkuarën. Si ka qenë ndërrimi i viteve për ju, kur krijuat shtëpinë tuaj, u martuat…
Dua ta nis më herët se kaq, që kur kam qenë unë në shtëpinë time, sepse ishte një festë aq e bukur për ne atëherë, sa s’mund të mos e lë pa përmendur. Të dy prindërit kujdeseshin aq shumë që të përcillnin atmosferë feste te ne atyre ditëve, dhe ia arrinin. Dy javë përpara datës 31 Dhjetor, babai na merrte ne të tre fëmijët për të bërë pemën. Angazhohej ai për këtë gjë, sepse mamaja përveç kujdesit të përditshëm për shtëpinë, ka pasur prioritet gjithnjë kuzhinën. Kur u rritëm e u larguam nga shtëpia, babai i mori ato lodrat e pemës dhe na i ndau të treve. I kam ende sot dhe për çudi, sa herë që rregulloj pemën me fëmijët tani, janë pikërisht ato të preferuarat e tyre. Mbase edhe ngase unë u kam folur për to dhe u duken si të rralla.
Pas pemës, ç’kujtime të tjera keni nga fëmijëria? Duhet të kujtojmë edhe që nuk kanë qenë kohëra bollëku…
Qëndronte pikërisht këtu merita e prindërve tanë atëherë, edhe kur nuk kishin, përpiqeshin të sajonin diçka. Për Vit të Ri, mamaja donte që, patjetër, përveç gatimeve të tryezës që ne i prisnim, të na bënte diçka surprizë, edhe më vonë kur u rritëm. Ne edhe kur u martuam vazhduam të mblidhemi te shtëpia e tyre për këtë festë, deri sa ata jetuan. E kujtoj një vit time më, duhet të ketë qenë viti ’74, kur s’kishte pothuajse asgjë. E pyes dy ditë përpara se çfarë i nevojitej, çfarë mund t’i çoja, sepse e shihja që jo mish që s’mund të gjente, po as gjalpë apo gjëra më të thjeshta. Vetëm qepë të thata në qese najloni kishte në pazar. “E di ai lart thoshte, diçka do të dalë”. Ne kishim fatin atëherë, që frutat e thata, arra, gështenja apo të tjera, na vinin nga Tropoja, gjëra që ia kisha çuar dhe ajo vërtet arriti të shtronte një tavolinë të pasur me gjithë varfërinë që ekzistonte. Pati gjetur një gjel, të cilin e bëri të mbushur me fruta të thata, ishte hera e parë që e hanim të gatuar ashtu. Bëri, përveç tij, edhe një karidhato, ëmbëlsirë për të cilën nevojiten gjithashtu arrat. Përveç këtyre kujdeseshin gjithnjë të na bënin dhurata, me aq mundësi sa kishin… E kanë bërë çdo vit. Unë kam qenë gjyshe vet, kur vazhdoja të merrja ende dhurata nga prindërit e mi, por dhe ne fëmijët, bashkë me nipat e mbesat, kujdeseshim t’i kënaqnim.
Di që edhe ju jeni mjaft e zonja në kuzhinë, po përveç gatimit të trashëguar, në kohë krizash ekonomike a i keni menaxhuar gjërat po aq mirë sa ajo?
Vitet ’90, vite të trishta besoj për të gjithë, nuk dua as t’i kujtoj, pasi vraponim nga radha në radhë deri në orët e vona, të siguronim ndonjë frutë, apo deri te vajguri e buka. Mund të them që e gjithë familja ishte e angazhuar për të ndihmuar ditën e festës. Për të bërë më të zbehta situatën kritike jashtë, të paktën brenda mureve të shtëpisë gëzonim njëritjetrin. Në këto kohë, edhe puna ime si mjeke pediatre ka pasur vështirësitë e veta. Kam punuar në dy zona mjaft problematike të Tiranës, nga pikëpamja e varfërisë, si Bërraka dhe Bregu i Lumit. Jetonim shumë afër dhimbjes dhe duke qenë kaq pranë, të gjitha doktoreshat kontribuonim me aq sa mundeshim, që të çonim sadopak gëzim në ato familje.
Meqenëse jemi në festë, ta lëmë të tillë këtë intervistë, festive, pa kujtimet të trishta. Cilat janë ritet e festës sot në shtëpinë tuaj?
Tani patjetër që e gjithë atmosfera është shumë e bukur, sepse bëhemi shumë njerëz dhe mblidhen të gjithë bashkërisht për ndërrimin e viteve tek unë, si motra e madhe. Pastaj parafytyroni 6 fëmijë apo më shumë, me gjithë të tyret që vijnë vërdallë nëpër shtëpi, këndojnë, ndihmojnë në shtrimin e tryezës. Vazhdoj edhe unë në shtëpinë time, ta rregulloj pemën 2 javë përpara. Bashkë me fëmijët, të parën rregullojmë pemën e gjyshërve, pastaj ngjitemi te shtëpia e Argitës e pastaj te Shkëlzeni. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer ta festoj Vitin e Ri jashtë shtëpisë dhe asnjëherë nuk e kam bërë, as jashtë Shqipërie e as nëpër restorante. Siç është një festë masive e të gjithëve, e vetmja e këtyre përmasave në Shqipëri, aq kërkon edhe privatësinë e saj, ngrohtësinë e shtëpisë. Shtëpia jonë bëhet mjaft e zhurmshme, televizori është gjithnjë i ndezur, por nuk dëgjohet nga hareja, gëzimi i fëmijëve, por edhe nga këngët tona…
http://www.panorama.com.al/2013/12/29/per-festa-ne-familjen-e-madhe-berisha/






