TIRANE, 19 dhjetor 2013 –Një kafe në shtëpinë e Sokol Olldashit… Një muaj pas ndarjes së tij nga jeta, një ditë pas lindjes së Kolit, vëllai i tij, Ardian Olldashi rrëfen për “Gazetën Shqiptare” se cilat ishin fjalët e fundit të deputetit, cilat ishin pasionet dhe ëndrrat e tij, të lëna tashmë në mes, marrëdhëniet mes dy vëllezërve dhe ditëlindjen e tij të 41-të. 
Si u rritët ti dhe Koli, sa e vështirë ka qenë periudha e internimit për ju? 
Unë do thosha se, më tepër sesa periudha e internimit, tek ne kanë ndikuar shumë pasojat e internimit. Nuk ka qenë shumë e lehtë t’i kalonim pengesat e jetës. Kur na u ndanë prindërit, Koli ishte vetëm 2 vjeç, ndërsa unë isha 6 vjeç. Por, jeta merr kuptim vetëm në momentin që i kalon të gjitha vështirësitë që të dalin. Të gjitha janë pengesa që kalohen, por asgjë nuk ka më rëndësi kur ti nuk ke më jetën. 
Kur e keni takuar Kolin për herë të fundit? 
Hera e fundit që e takova ishte 15 ditë para se të ndodhte aksidenti. Koli erdhi në Gjermani dhe qëndroi disa ditë tek unë. Në mënyrë sipërfaqësore folëm dhe diskutuam për shumë gjëra. Folëm për punën, për profesionin, për familjen, për jetën private dhe për shumë gjëra të tjera. Koli donte shumë që të kishte një vajzë, por meqë ai kishte vetëm dy djem, ishte shumë i lidhur me vajzën time. Ai donte shumë që ta ndihmonte vajzën time për të studiuar dhe të suportonte studimet e saj. Madje, në të shumtën e rasteve, Koli kur merrte në telefon fliste më shumë në telefon me të sesa me mua. 
Çfarë natyre kishte Koli jashtë kostumit politik? 
Koli ishte njeri që e donte shumë jetën. Koli, ndryshe nga unë, falte shumë shpejt. Kishte aftësinë që t’i falte njerëzit, edhe ata që e tradhtonin në jetë. Më thoshte gjithmonë që, “i fal edhe ata që më tradhtojnë, sepse kaq kanë pasur mundësi që të më ndihmojnë, madje kanë dhënë maksimumin duke më tradhtuar”. Kur flisja në telefon me Kolin, ai ishte shumë lakonik, nuk fliste shumë gjatë. Sa herë që e pyesja, Koli përgjigjej shkurt. 
Cila ka qenë biseda e fundit me Kolin? 
Kur erdhi në Gjermani më tha që nga pranvera të vija në Shqipëri – pasi unë jetoj në Gjermani – për të parë gjithë Shqipërinë. I thashë, “po unë e kam parë Shqipërinë, nuk kam çfarë të shikoj”. Koli më tha, “po ku e njeh ti Shqipërinë, ka shumë gjëra për t’u zbuluar”. E lamë që edhe mund të vija 10 ditë nga pranvera dhe do të iknim bashkë në veri, në Kosovë dhe vende të tjera.