Nga Bedri Islami*
Tollovia e madhe mbaroi. Kryeministri i Shqipërisë e ndjeu se rruga do të vendoste mbi mendjen dhe i thirri asaj për të qenë në një mendje me rrugën. Protestuesit shkuan në shtëpitë e tyre që asaj nate, të bindur se e shpëtuan vendin nga apokalipsi bërthamor, pas së cilit nuk do të kishte më asnjë shqiptar. Opozita u ndje e zhgënjyer pasi hesapet e shtëpisë nuk i dolën në pazar. Shpresa e tyre për një përmbysje të pushtetit që asaj nate kishte qenë e kotë, si duket tani do të përpiqen që gjithë atë maskaradë që ndërthuren, ta hedhin mbi shpinën e dikujt tjetër.
Asgjë nuk fitohet, asgjë nuk humbet, çdo gjë transformohet. Edhe vullneti i mirë i studentëve, gjimnazistëve dhe prindërve të tyre, i njerëzve hallexhinj që u trullosën deri në palcë u transformua në qetësinë e përkohshme. Tani po vjen marramendshëm shpejt koha e pyetjeve.
Do të bëhen shumë të tilla, të drejta e të padrejta, do të ketë hamendësime e përbaltje, do të të ketë dyshime se mos e gjithë kjo ishte një ngutje e pashoqe apo e gjitha ndodhi se kryeministri ynë nuk guxoi të bënte publike konfidencialitetet e një shteti – partner kryesor strategjik, si SHBA; do të ketë dyzime mes asaj nëse e humbëm edhe një shans të jemi pjesë e botës vendosëse dhe e respektuar , apo, si për dreq, u rimbyllëm edhe një herë në vete. Njerëzit qëmsot e ndjejnë veten si zotër, sepse përthyen qeverinë e vendit të tyre do të jenë të tillë edhe nesër, kur gjërat do të jenë edhe më të qarta, kur e gjithë jo që ndodhi të mos ketë më mjegullën e gjithë asaj stuhie që u ngrit mbi njerëzit që ishin mes besimit e mosbesimit.
Pra do të ketë shumë pyetje, por mes tyre, ndoshta do të harrohen disa nga më thelbësoret, të cilat, nuk kam dëshirë të harrohen.
Ata lidhen me njërën pjesë të gjithë kësaj që ndodhi: Lulëzim Basha.
Kush i dha urdhër Lulëzim Bashës që, brenda dy netëve, të ketë një ndryshim radikal në qëndrimin e tij?
Njeriu që dha urdhër është brenda PD-së apo jashtë saj, pjesë e ndonjë bordi që mezi pret turbullira e mjerim në Shqipëri?
Cila është vija e kuqe, reale apo imagjinare e tij dhe deri ku e lejojnë të ngrejë një vijë të tillë?
Le të shpjegohem. Sipas ambasadorit amerikan Arvizu, dhe e plotësuar nga vetë Basha, njeriu që mendohet se drejton opozitën, kishte qenë në dijeni të ngjarjeve që priteshin të ndodhnin, të bisedimeve mes SHBA dhe qeverisë shqiptare, ai ishte vënë në dijeni zyrtarisht në emër të Departamentit të Shtetit dhe, për rëndësinë e çështjes, edhe më tej se kaq, dhe kishte premtuar se e gjithë qëndresa e tij kishte lidhje me transparencën, dhe, kjo është thelbësore, ai nuk do të kalonte vijën e kuqe.
Ky ishte premtimi i tij, i cili, sipas zotit Arvizu dhe vetë faktit që lehtësisht mund të dëshmohet, për dy ditë me radhë, pa asnjë presion tjetër nga Departamenti i Shtetit, ai iu përmbajt kësaj deklarate dhe nuk e kaloi vijën e kuqe.
Ditën e tretë ai e kaloi atë dhe shkoi edhe më tej se kaq: nuk e njohu fare një gjë të tillë dhe i dërgoi njerëzit para ambasadës se SHBA në Tiranë, për të protestuar kundër saj, si një shenjë force ose reminishencë e vitit 1997, kur Berisha fajsonte këtë shtet për ngjarjet e vitit të mbrapshtë.
Përse zoti Basha e kaloi “Rubikonin”? Përse ai e kaloi në ditën e tretë të informimit të tij zyrtarisht? Ku e dërgoi mesazhin dhe nga kush priti përgjigjen e tij?
Mendimi i parë i parë i gjithsecilit është se ai u ndikua nga Berisha, ati i tij politik. Sepse dihet se ai është vetëm hija pasuese e njeriut që të bën gjëmën. Të duket se lehtësisht është kështu. Berisha i ndërroi mendjen atij, dhe këtë e bëri me një të tundur të gishtit. Mirëpo , sado që në pamjen e parë është vetëm kjo, nuk është ende e plotë, e ndoshta nuk është as e saktë. Sepse Berisha që asaj nate, menjëherë pas bisedës së vonë mes ambasadorit Arvizu dhe Bashës, është informuar nga ky i fundit dhe, si zakonisht, i papërmbajtur në qëndrimin e tij, mund të thoshte shkurtimisht e përbuzshëm se atë njeri, ambasadorin, nuk e pranon më askush, ose do të nxirrte pasuesit e tij për të përbaltur figurën e një përfaqësuesi të lartë, i cili dikur, gabimisht, ende pa e njohur, e quajti burrë shteti. Pra, që të nesërmen, Basha mund të kalonte vijën e kuqe, mund t’i thoshte që të nesërmen ambasadorit se “vija e kuqe është imagjinare”, por për dy ditë ai nuk e bëri këtë. E bëri ditën e tretë dhe e dimë se si e bëri. Përse i është dashur kjo largësi kohe? Ku vajti dhe nga ku erdhi mesazhi për të shkelur dhunshëm vijën e kuqe? Largmendësh, nga Berisha. Shpesh herë gjërat që duken lehtësisht të dukshme, janë shumë më ndryshe.
Zoti Arvizu ,në pjesët e fundit të intervistës së tij, jo rastësisht deklaroi se tashmë nuk dihet se kush e drejton partinë Demokratike dhe kjo është edhe më shqetësuese.
Përsëri mendimi i parë është tek dyzimi Berisha-Basha. Sepse ky është një dy-kokësh shumë i dukshëm në politikën shqiptare. Por përse për Departamentin e Shtetit kjo është edhe më shqetësuese? Çfarë është shqetësuese në këtë histori nëse në një parti kanë zgjedhur dy drejtimin, nëse njëri është drejtues de fakto e tjetri de jure? Nuk ka pse të ketë shqetësim dhe deri më tani, edhe pse është ditur ky dyzim, nuk ka pasur asnjë shqetësim nga departamenti i Shtetit. Ndaj përse ata janë të trazuar për një dualizim në drejtimin e PD-së? Çfarë dinë ata më tepër se ne, gjynahqarët e zakonshëm, të cilën e kanë mësuar në dy ditët e mos shkeljes së vijës së kuqe nga Basha dhe nga PD-ja?
Kam shkruar disa herë për bordin serb, në Prishtinë dhe në Tiranë, i cili, padukshëm, kontrollon ende pjesë të rëndësishme të jetës sonë politike e ekonomike. Në Kosovë, mjerisht, është më e dukshme kjo pjesë e politikës, që ka zaptuar thuajse gjithë ekonominë ,por edhe segmente të shtetit, ( gjithnjë jashtë PDK-së), por edhe në Tiranë prania është e ndjeshme. Shteti i vetëm që do të dëshironte një përgjakje të të rinjve me shtetin shqiptar, me strukturat e tij, është Serbia, qoftë edhe për faktin se i transferon problemet e saj në trevat gjithëshqiptare.
Vonesa në shkeljen e vijës së kuqe nga Basha të lë dyshimin e hidhur se dikush jashtë PD-së ose brenda saj, por brenda bordit të cituar, e bënë atë të shkelte vijën e kuqe.
Dhe vijmë kështu në pyetjen e tretë: cila është vija e kuqe e Lulëzim Bashës? Është ajo reale apo imagjinare? Është në të mirë të kombit apo në dëmin e tij? Është si ajo që ndodhi kur ishte Ministër i Punëve të Jashtme dhe nënshkroi dhurimin e detit shqiptar, përmes një buzëqeshje, apo edhe më tej se kaq? Është ajo mirënjohje ndaj SHBA apo mirënjohje ndaj dikujt tjetër?
Koha e pyetjeve do të vijë shumë shpejt. Përgjigjet do të jenë të ndryshme. Por nëse nuk do të sqarohet historia e “shkeljes së vijës së kuqe”, të gjitha të tjerat do të jenë të rastësishme dhe, si zakonisht, të mangëta.
* Autori është publicist i njohur në Kosovë, me banim në Gjermani. Ka qenë kryetar i Partisë Lëvizja Popullore e Kosovës, njëri nga drejtuesit e UÇK-së.





