Nga Gladiola Busulla

Durrës, 18 nëntor 2013- Në Shqipëri arsimi nuk po zhvillohet në kushtet më ideale, por fatmirësisht ekzistojnë ende mësues të ndërgjegjshëm dhe të pasionuar, të cilët e nderojnë punën e tyre dhe realizojnë me përpikmëri, orë të tëra mësimore. Ata ngrihen si apogje ndaj sistemit dhe krizës shoqërore e arsimore. Arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor. Synimi kryesor është  arritja e zhvillimit etik, intelektual, fizik, social dhe estetik të nxënësit, në mënyrë që të jetë i aftë të mësojë gjatë të gjithë jetës, të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi dhe të jetë i gatshëm të ofrojë përpjekjet e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë e vendit e më gjerë. Ky është njëkohësisht dhe misioni i sistemit arsimor parauniversitar.

Zhvillimi i gjithanshëm i individit dhe aftësimi i tij si qytetar bëhet kryesisht në shkollë, ndaj arsimi duhet konsideruar si oportunitet për të gjithë ata që duan të studiojnë, të kenë mjedis miqësor dhe të zhvillojnë aftësitë individuale. Shkollat dhe kolegjet duhet të shfaqin shembuj suksesesh shumëplanëshe; në disiplinë, përgatitje shkencore, olimpiada, sport, veprimtari artistike, shoqërore etj. Mësuesi duhet të jetë i aftë të zgjojë dëshirat latente, ende të paçelura plotësisht tek brezi i ri dhe zhvillimin e mëtejshëm të prirjes a talentit.Buda, Krishti, Muhamedi, Konfuci të cilët cilësohen si figurat më të rëndësishme e më supreme të njerëzimit, në thelb ishin mësues e misionarë.

Por të qenit mësues sot është  profesion apo mision?

Misionari, në emër të një besimi të rrënjosur thellë, vendos t’i kushtojë jetën e tij një kauze, së cilës i beson. Misionari nuk kursehet, nuk ka orar pune të përcaktuar, nuk synon shpërblime. Në të kaluarën, mësuesi barazohej me një misionar dhe mësimdhënia konsiderohej vokacion. Më vonë filluan të mbështesnin me guxim tezën, se mësimdhënia nuk është një çështje frymëzimi hyjnor, por ajo karakterizohet nga  dinjiteti profesional dhe si të gjitha profesionet, kërkon aftësi të veçanta, përgatitje specifike dhe kompensimin material përkatës. Gjithashtu,  figura e mësuesit duhet rivlerësuar me seriozitet. Nëse duam që fjala dështim të zhduket nga arsimi duhet të  kemi parasysh sipas Jean Jaurèsqë  "Nuk mund t’u mësosh të tjerëve atë që di, nuk mund t’u mësosh as atë që do dhe as atë që pretendon se di; mund t’u mësosh veç atë që ti je”.

Shkolla duhet të jetë si një familje e madhe, ku të gjithë nxënësit të promovohen njëlloj.

Ajo duhet të zbulojë kapacitete dhe merita, aty ku duket se nuk ekziston asgjë. Marrëdhënia nxënës – mësues – prindër duhet të zhvishet nga konfliktet dhe keqkuptimet. Sepse mësimdhënia nuk shërben thjesht "për t’i mësuar diçka dikujt", por ajo gjithashtu,  përfshin dhe marrëdhëniet ndërpersonale, faktet, ndjenjat, mendimet dhe njohuritë  e mësuesit, mendimet e nxënësve, përdorimin e shqisave dhe strategjinë e të mësuarit efektiv.

Arsimi është një shenjë dashurie që të dhuron protagonizmin në sfidën e madhe të çdo fëmije drejt dijes.Ky moment krize që ne jemi duke përjetuar mund të shndwrrohet nw një mundësi tw madhe për të rifilluar së bashku.Dhe për këtë duhen prindër të përgjegjshëm, mësues pasionantë, të profilizuar si didaktë, metodistë e psikologë të mirë.Mësuesi kërkues thotë: “Të ulemi së bashku dhe të shohim ku kemi gabuar”.Ai  u mëson nxënësve se nuk ka lëndë të thjeshta apo të vështira, por imponon pasionin për të mposhtur vështirësitë.Shkolla  prestigjoze ka vetëm një moto :” Të gjithë kemi lindur për të mësuar” dhe nxënësve të saj iu mëson gjithnjë, të përdorin logjikën.Mësuesit duhet të shprehen: “Këtu nuk do të përgjigjeni kur t’ju pyesin, por do të mësoni të bëni pyetje”.Mbi të gjitha, stafi akademik i një shkolle duhet të bëjë të pamundurën që askush të mos dalë prej saj, i paedukuar dhe i paqytetëruar.

Arsimi dhe edukimi i rinisë është themeli i cdo shteti. Lidhur me pikëpamjet mbi vlerën dhe rëndësinë e arsimit për një komb, do të përmendja porosinë e rilindases së madhe shqiptare Sevasti Qiriazite cila thotë: “Lum ai njeri që zbraz qesen e tij për dituri, sepse ajo nuk mund të mirret, as të vidhet prej askujt“.