Nga Gëzim Kabashi
DURRËS, 20 korrik 2013 – Katër godina të ndërtuara në vitet 1920-1930 në qytetin e Durrësit kanë pasur fat të ndryshëm nga njëra tjetra dhe me gjithë vlerat arkitektonike dhe historike që bartin nga e kaluara, nuk arritën të bëheshin pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura nga shteti.
Bashkia e qytetit, Vila mbretërore mbi kodër, Banka e shtetit dhe godina e hotelit që vazhdon të thirret me emrin “Vollga”, janë ndërtuar 80 vjet më parë në katër pika përcaktuese duke i hapur rrugë vizionit për zgjerimin e ardhshëm të Durrësit, qytetit që numëronte me vështirësi 7-8 mijë banorë dhe që në fund të pushtimit otoman ishte tkurrur në një sipërfaqe mjaft të reduktuar brenda mureve të kalasë mesjetare.
Godinat përfaqësuese u ndërtuan gjatë dekadave të para të shekullit të kaluar, atëherë kur qyteti-port njohu një zhvillim të vrullshëm dhe marrëdhëniet e tij me Italinë fqinje iu rikthyen kohëve antike.
Në mesin e viteve 2000 drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës përgatiti dokumentacionin përkatës dhe kërkoi vënien e tyre nën mbrojtjen e përhershme të shtetit, por materialet mbetën pa përgjigje.
Megjithatë, në planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të miratuar para disa muajsh, këto godina konsiderohen si pika referimi për të ardhmen e Durrësit.
Statusin “Monument kulture” në Durrës përveç objekteve antike dhe mesjetare në Durrës e ruan edhe shtëpia karakteristike e shekullit të 19-të, në të cilën ka kaluar disa nga vitet e fëmijërisë aktori me famë evropiane Aleksandër Moisiu dhe që shërben edhe si muze etnografik për trevën e Durrësit.
Godina e bashkisë, 80 vjet institucion vendor
Menjëherë pas tërmetit të vitit 1926, që shkatërroi rëndë pjesën qendrore të qytetit, administrata e atëhershme bashkiake vendosi ndërtimin e një godine të re, duke i hapur rrugë edhe krijimit të sheshit qendror të Durrësit.
Dy kate e gjysmë mbi tokë, me formë katrore dhe me kullën e sahatit në anën perëndimore bashkia është mjaft funksionale edhe sot kur qyteti ka një popullsi rreth 30 herë më të madhe.
Ajo ka dy hyrje, duke lehtësuar vizitat zyrtare dhe lëvizjen e qytetarëve dhe punonjësve pa krijuar shqetësime.
Megjithëse nuk është shpallur monument kulture, kjo godinë prej më shumë se 80 vjetësh ka shërbyer vazhdimisht si institucion i pushtetit vendor, çka e ka ruajtur të padëmtuar strukturën themelore të saj.
Rikonstruksioni i plotë në vitin 2005 mundësoi ruajtjen e fasadës kryesore, duke rimodeluar mjediset e brendshme, por mbi të gjitha duke konservuar një godinë të rëndësishme për historinë e re të qytetit.
Bashkë me godinat e xhamisë së Madhe, (ndërtuar në vitin 1938), pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” (1964) dhe ish-godina e komitetit të partisë (1974), aktualisht institucioni i prefektit dhe Këshilli i Qarkut, ndërtesa e bashkisë ka kuadratuar sheshin “Liria”, emri i të cilit (Lirija) ishte vendosur gati 100 vjet më parë.
Banka e Shtetit, godina e kartolinave
Fotot e vjetra të Bankës së Shtetit na sjellin në kujtesë një godinë të ndërtuar buzë limanit detar, ngjitur me pallatin e Princ Vidit (Ëied), ku ishte ngjizur një pjesë e historisë së shtetit të ri shqiptar.
Godina luksoze me mjedise që u bëjnë nder edhe sot reklamave televizive bankare, ishte një shprehje tjetër e interesit financiar të fqinjëve italianë në brigjet shqiptare.
Njëlloj si në rastin e bashkisë “fati i mirë ” deshi që 80 vjet pas ndërtimit aksionarët e Bankës Kombëtare Tregtare, që janë bujtësit aktualë të saj, e rindërtuan fasadën duke i kthyer shkëlqimin e dikurshëm.
Qyteti 3000-vjeçar përfitoi një pikë tjetër referimi të historisë së tij moderne, megjithëse godina nuk e ka statusin “Monument kulture”.
Vila mbretërore, bukuroshja e pafat
Ndërtesa në qendër të një sipërfaqeje prej 5400 metra katrorë I është rikthyer pasardhësve të familjes mbretërore me një vendim të 2006, por shpresa për rikonstruksionin e plotë të saj po venitet pak nga pak.
Para katër vitesh skela shumë të larta me plasmas rrethuan godinën, që u plaçkit keqas në marsin e mbrapshtë të vitit 1997.
Megjithëse zyrtarisht nuk u tha asgjë fjalët që qarkulluan e shikonin ndërtesën me arkitekturë italiane si një godinë me të ardhme turistike të nivelit VIP, e cila sidoqoftë do të ruante të paprekur fasadën e ndërtuar në periudhën e Monarkisë.
Rezidenca verore e Mbretit Zog u ndërtua në vitin 1926 me projekt të arkitektit Kristo Sotirit, atëherë kur monarku i ardhshëm ishte ende president i Republikës dhe kur mbi kodrën e zhveshur me lartësi 98 metra dukeshin pjesë nga Akropoli antik i qytetit.
Vila ishte dhuratë e tregtarëve durrsakë dhe 11 vjet më vonë në prag të martesës me konteshën hungareze Geraldine Apony, mbreti Ahmet Zogu i Parë e rindërtoi krejtësisht atë sipas projektit të dy arkitektëve italianë.
E parë nga lart godina i ngjan shqipes me dy krahë ndërsa në ballë të saj shihet ende e ruajtur mirë një figurë e Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, e hipur mbi kalë.
Vila ka shërbyer gjatë periudhës komuniste si rezidencë zyrtare për pritjen e delegacioneve të huaja.
Në dhomat e projektuara për çiftin mbretëror kanë fjetur disa nga njerëzit më të fuqishëm të bllokut lindor nga sovjetiku Hrushov e kinezi Çu En Lai, deri te princi kamboxhian Samde Norodom Sihanuk.
Bujtësit e fundit, një përfaqësi e parlamentit polak janë strehuar në Vilë vetëm pak ditë para plaçkitjes masive të marsit 1997.
Edhe sot pamja që ofron deti nga ballkonet e godinës së shkatërruar është e mahnitshme, por themelet e saj po gërryhen nga erozioni dhe ndërtimet e paligjshme rreth e rrotull.
Mungesa e statusit “Monument kulture” e ka lehtësuar dëmtimin gradual të saj.
Hotel “Vollga”, e ardhmja e panjohur
Godina e ish-hotelit “Vollga”, më i vjetri dhe më i njohuri në qytetin e Durrësit po degradon ditë pas dite.
Megjithëse pak kohë më parë u është rikthyer pronarëve të ligjshëm, gjatë 20 viteve të fundit ndërtesa ka pësuar një amortizim të dukshëm dhe rrethimi me llamarina e ka shëmtuar më tej pamjen në hyrje të shëtitores bregdetare.
Hoteli pranë shëtitores Taulantia ndodhet në të njëjtin kompleks me Torrën veneciane dhe është ndërtuar në vitin 1940, një vit pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht ai mori emrin “Albergo dei Dogi” (Hoteli i Dozhëve-të Venedikut, shih foton e kohës ku duket emërtimi dhe para hotelit monumenti me shqiponjën, në nderim të kolonelit holandez të vrarë në Durrës në vitin 1914). Emri “Vollga”, që i përket kohës së miqësisë komuniste me Bashkimin Sovjetik është i dyti në radhën e kësaj liste, pasi emërtesa e fundit ka qenë “Iliria”.
/red. th. m. agjencia e lajmeve
4 godinat simbol të Durrësit, që nuk u bënë dot monumente kulture
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Zbulohet zyrtarisht banori i parë i “Big Brother Vip Albania 5”
Futbollisti Mirlind Daku dhe ish-banorja e BBVK bëhen prindër për herë të parë
Bardhi: PS kërkon ta shtyjë imunitetin e Ballukut deri në shkurt! Deri atëherë, Belinda e ka ngrënë bakllavanë edhe dëshmitarët
UAMD feston 20-vjetorin e krijimit





