AFGANISTAN, 14 prill 2013– Në qendër të Kabulit, në brigjet me gurë të lumit Kabul, të varurit nga droga mblidhen për të blerë dhe përdorur heroinë. Është një vend i mjerimit dhe degradimit. Në mes të ditës rreth dhjetë burra dhe djem qëndrojnë të ulur në çifte duke tymosur dhe injektuar drogë. Në mesin e tyre ka edhe njerëz të shkolluar, një mjek, një inxhinier dhe një përkthyes. Tarik Sulejmani, nga ‘Najat’, organizatë kjo vendore e bamirësisë, vjen këtu rregullisht për të provuar që t’i bindë të varurit që t’u nënshtrohen trajtimeve. “Ne tashmë jemi duke i humbur fëmijët tanë nga sulmet vetëvrasëse, sulmet me bomba dhe raketa”, thotë ai. “Por tani varësia ndaj drogës është një lloj tjetër i terrorizmit që po i vret bashkatdhetarët tanë”.
Policia i rreh dhe i hedh në lumë
Tashmë 18-vjeçari Xhavidi, me origjinë nga Badakshani në veri të Afganistanit, ka filluar ta përdorë heroinën në moshën 10-vjeçare. Daja i tij ia prezantoi drogën kur ai ishte një fëmijë i vogël, për ta bërë atë që të punojë më shumë në ara. “E urrej jetën time. Të gjithë më urrejnë. Do të duhej të isha në shkollë, por jam një përdorues i drogës”, thotë ai. Babai i tij ka vdekur. Nëna e tij me aftësi të kufizuara brengoset vazhdimisht për djalin e saj. Krejt çfarë do ajo nga jeta për të është që të rehabilitohet, por ajo kërkon lëmoshë në rrugë për ta paguar dozën e tij ditore për ta parandaluar atë që të merret me hajni. “Gjithmonë i them Xhavidid që nëse vdes unë, ai do të përfundojë duke fjetur nën urë së bashku me të varurit e tjerë”, thotë ajo. Ky është fati i më të varurve nga droga, zjarret e të cilëve mund të shihen gjatë natës. Policia rregullisht i rreh dhe i largon ata, ndërsa nganjëherë edhe i hedh në lumë.
Prania e madhe e heroinës
Arsyet pse kaq shumë afganë janë duke përdorur drogë, janë të komplikuara. Është e qartë që dekadat e mbushura me dhunë kanë luajtur një rol. Shumë prej njerëzve që ikën gjatë dhunës së 30 vjetëve të shkuara kërkuan strehim në Iran dhe Pakistan, ku shkallët e varësisë ishin të larta tashmë për një kohë të gjatë. Ata tani po kthehen dhe po i sjellin me vete problemet e tyre me drogën, thonë zyrtarët. Papunësia, e cila tani qëndron në 40 për qind, gjithashtu po e luan rolin e saj. “Po të kisha një vend pune, nuk do të isha këtu”, thotë Faruku, njëri prej të varurve te lumi, i cili ka diplomuar në mjekësi dhe dikur ka punuar si menaxher i një spitali. Ai thotë se përdorë drogë “për të qenë i qetë dhe i relaksuar”, por gjithashtu se do të preferonte të ishte i vdekur e jo një i varur nga droga siç është tani. Faktor tjetër është prania gjithnjë e më e madhe e heroinës, e cila gjatë dekadës së shkuar ka filluar të rafinohet nga opiumi i papërpunuar edhe në Afganistan. Të blesh heroinë në Kabul është po aq “lehtë si të blesh ushqim”, thonë të varurit. Një gram kushton rreth 6 dollarë, ndërsa është në dispozicion në secilin kënd të qytetit. “Tradicionalisht, ajo që e pohojmë është se kërkesa krijon furnizim”, thotë Zhan-Lyk Lemahie, përfaqësuesi rajonal i agjencisë së dogës UNODS, një nga organizatat e pakta që punojnë në çrrënjosjen e drogës në Afganistan. “Ajo që kemi harruar, megjithatë, është se prania e gjerë e atij produkti në treg krijon kërkesë vendore”. Kur trupat e huaja arritën në Afganistan në vitin 2001, një nga qëllimet e tyre ishte që ta ndërpresin prodhimin e drogës. Në vend të kësaj, ata janë përqendruar në luftimin e kryengritësve, ndërsa shpesh kanë akuzuar se kanë shikuar mes gishtërinjve fushat e mbjella me opium.





