Një herë e një kohë ishte vendbanimi i qindra minatorëve gjermanë, të cilët kërkonin fatin në shkretëtirën e Namibisë.

Por, thuajse 100 vjet pasi arriti kulmin e lulëzimit dhe zhvillimit, Kolmanskopi është kthyer sot në një qytezë fantazmë që dita-ditës po përpihet nga rëra.  

Fotografë dhe turistë kureshtarë mblidhen për të parë ish-shtëpitë gjermane teksa zhyten pak nga pak në shkretëtirë.

 Qyteza u ndërtua dhe u braktis brenda 40 vitesh, ndërsa për dekada të tëra u la në harresë në mes të shkretëtirës.

 Shtëpitë, dikur hijerënda, me kalimin e kohës u shkatërruan nga era ndërsa dunat dalëngadalë po i mbushin ato me rërë.

 Në vitin 1980, kompania “De Beers” ndërtoi një muze për të ruajtur një pjesë të historisë së Kolmanskopit. Tani turistët vijnë për të parë ndërtesat e rikonstruktuara e për të shëtitur midis shtëpive të braktisura. 

Kolmanskopi u themelua në fillim të viteve 1900, kur u zbuluan diamante mbi sipërfaqen e shkretëtirë. Aty u ndërtua një spital, sallë kërcimi, stacion elektrik, shkollë, sallë lojërash, teatër, sallë sporti dhe një fabrikë akulli. Gjithashtu, në këtë qytezë u ngrit qendra e parë e rrezeve X në hemisferën jugore si dhe tramvaji i parë në kontinentin afrikan.

 Deri në vitet ’20, në Kolmanskop jetonin 300 gjermanë të rritur, 40 fëmijë dhe 800 punëtorë me kontratë nga fisi vendas Owambo.

 Fillimi i rënies së “parajsës së vogël” ishte pas Luftës së Parë Botërore, kur çmimi i diamanteve filloi të bjerë dhe më në jug u zbuluan diamante më të çmuar. Qyteza u braktis përfundimisht në vitin 1954.

 Qyteti fantazmë është përdorur në shumë filma dhe seri televizive afrikano-jugore, si dhe ishte sheshxhirimi i filmit “Mbreti është gjallë” në vitin 2000.