TIRANE- Superbalada “Identitet” e Adrian Lulgjuraj e Bledar Sejkos ka fituar mbrëmë në Pallatin e Kongreseve çmimin e parë të Festivalit të Këngës në RTSH, duke fituar të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong. Interpretimi i tyre ka qenë i mrekullueshëm që në performancën e tyre të parë. Shoqëruar me një lum dritash në skenë, pa harruar ritmin, duartrokitjet dhe performancën e tyre, ata pushtuan skenën dhe sallën me tingujt e melodinë që përcollën. Ata kanë marrë pikët maksimale të 5 nga 7 anëtarët e jurisë. Duket se është Shqipëria e madhe që fitoi, nëse kemi parasysh origjinat e realizuesve të këngës, origjina që shtrihen nga Ulqini në Çamëri. Çmimin e dytë të festivalit e ka fituar Anjeza Shahini me këngën “Love”, ndërsa të tretin Hersiana Matmuja “Kush ta dha këtë emër”.
SPEKTAKLI
Nata finale e festivalit ka ofruar spektakël. Për të përshëndetur festivalin erdhën dy emra artistësh të njohur shqiptarë në botë: Saimir Pirgu, tenor e Shkëlzen Doli violinist. Ndërsa Pirgu këndonte, virtuozi Doli e shoqëronte me violinë duke krijuar një atmosferë madhështore në skenë me tingujt dhe zërin që dhuruan. Ata u pritën me duartrokitje pa fund. “Mjaftojnë dy djem të tillë për të thënë ‘o sa mirë me kenë shqiptar’”, ka thënë Enkel Demi. Ndërkaq, përpos këngëve të veta, konkurrentët kanë interpretuar edhe një kolazh nga Festivali i 11-të i Këngës. Nuk kanë munguar as surprizat, siç qenë pjesëmarrësit nga Azerbajxhani. Por pjesa më interesante qe padyshim ringjitja në skenë pas 40 vitesh e konferencierëve të festivalit të “zi”. Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu kanë risjellë në kujtesë edicionin e vitit 1972.
Ata kanë shkëmbyer mes tyre batuta, por kanë përshkruar edhe veshjet e tyre në atë vit të largët, duke iu drejtuar artistëve me fjalët: ju jeni frymëmarrja, jeta, bota. Krejt të çlirët, ata mundën të mbizotërojnë skenën. “Në festivalin e 11- të u veshëm vetë sipas shijes sonë”, tha Kapexhiu duke shtuar se një ndër gabimet e tij ishte kravata me lule. Nga ana tjetër, ai nxori në skenë shaminë që plot katër dekada më parë i kishte dhuruar në këtë festival Luarasi, para se të fillonin prezantimin. “Çka hequr kjo shamia në atë kohë”, tha Kapexhiu, ndërsa Luarasi rikujtoi dënimin kur u shpreh se: “Ti e ruajte shaminë, ndërsa ne i zhdukëm të gjitha ato që i përkisnin festivalit, madje edhe vetë fotografitë”.
Ndërkaq, Bojken Lako kishte zgjedhur t’i bënte homazh Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës, duke veshur një bluzë në të cilën ishte stampuar imazhi i saj. Këngëtarët finalistë interpretuan sipas kësaj radhe: Ardian Bujupi me “I çmendur për ty”, Valon Shehu “Nuk do të ndal”, Merland Kademi “Këtu fillon parajsa”, Kelly “Ylli im polar”, Rezarta Smaja “Ti…”, Kejsi Tola “S’jemi më atje”, Lynx “Si ty askush”, Hersi Matmuja “Kush ata dha këtë emër”, Rosela Gjylbegu “Dëshirë”, Flaka Krelani “Labirinti i zemrës”, Vesa Luma “S’jam perfekt”, Anjeza Shahini “LOVE”, Adrian Lulgjuraj& Bledar Sejko “Identitet”, Bojken Lako “ Lot…Jetë…Dashuri”, Selami Kolonja “Ku je”, Dr.Flori & Fabi “Jam ti!”, Xhejn & Enxhi Kumrija “Arti i një fundi”. Festivali dhe orkestra e RTSH ishin live, nën drejtimin e udhëheqësit artistik, Shpëtim Saraçi.
Nata finale e Festivalit është ndjekur drejtpërdrejtë nga kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij. E përkrah tij qëndronte drejtori i TVSH-së, Petrit BECI. Festivali u ndoq në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe po ashtu edhe përmes internetit. Juria përbëhej nga Justina Aliaj, Sokol Shupo, Petrit Ymeri, Zef Çoba. Tri netë ka zgjatur ngjarja kryesore muzikore e vitit në Pallatin e Kongreseve. Ai u realizua nën drejtimin artistik të Shpëtim Saraçit dhe me një orkestër gjigante të përbërë nga orkestra simfonike e RTSH dhe orkestrina muzikore. Në skenën e ideuar nga Adnand Kastrati, këngëtarë të vjetër dhe të rinj u prezantuan 26 këngë të reja. Regjia e festivalit u ishte besuar dy regjisorëve të mirënjohur nga Kosova, Agron Vulaj dhe Astrit Idrizi, me prezantimin nga dy figura të njohura të ekranit, Enkel Demi dhe Floriana Garo. Skenari mbante firmën e Engjëll Ndocajt dhe Edi Ogës. Ky edicion i festivalit përkoi me 40-vjetorin e Festivalit të 11- të.