25gusht 2015 – Pasi lëshoi plot akuza mbi të kaluarën e dy prej këngëtareve të njohura të para viteve ’90, Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori, kantautori Gjergj Leka reagoi sërish sot. Këtë herë për të ngarkuar me faj mediat dhe aspak veten për çfarë kishte thënë. Kantautori ka kërkuar falje ndaj saj dhe Parashqevi Simakut, duke u thënë se janë bërë pjesë e diskutimeve të masës këto ditë, jo për faj të tij.
“Më në fund kuptova që kam miq e ke armiq..mjaftuan disa tituj të gabuar në një gazete për të "zgjuar" urrejtjen që disa kanë ndaj meje dhe jo ndaj fenomenit! Edhe kur dikush thotë të vërtetën por ama pa cënuar emra të përveçëm, janë gati plehrat dhe të paaftët që t'iu jepet mundësia të shthuren e ta ndjejnë veten fitimtarë mbi djersën e dikujt tjetër që në jetën e tij vetëm tha veteëm të vërtetën që nuk i pëlqeu askujt! Janë pikërisht ata që dështuan në jetë dhe nuk u bënë kurrë si unë! “, shkruan Leka.
“I kërkoj falje Parashqevisë dhe Linditës që pa dashje u bënë objekt diskutimi i masës por jo nga unë! Do ta jap përgjigjen time në ekran në datën 13 shtator dhe do flas edhe për "Të mjerët" që duke përdhosur emrin tim e të familjes treguan sa legena e mosmirënjohës ka Shqipëria! Respekt figurave dhe ikonave të muzikës shqiptare!”, janë fjalët e Lekës.
Në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama” të dielën, Gjergj Leka tha se Simaku e Theodhori kishin arritur të bënin karrierë falë bukurisë dhe lidhjeve intime me persona që u krijuan mundësitë.
Lindita Theodhori iu përgjigj ashpër Lekës, duke thënë se do ta ndjekë ligjërisht për shpifje atë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/