23gusht 2015 – Kantautori i njohur Gjergj Leka vjen me një rrëfim pa dorashka, në gazetën “Panorama”. Ai e vlerëson Vaçe Zelën, si “ministri më vete” që në atë kohë, por që pas saj vinin këngëtare të zgjedhura jo nga aftësia sipas tij. Këtu rendit dhe Parashqevi Simakun e Lindita Theodhorin. “Vaçja nuk ishte thjesht këngëtare, ishte një këngëtare shumë e zgjuar. Vaçja, duke qenë jo e bukur, nuk e fitoi se “ia dha” dikujt. Se ishin ca të tjera, që e “jepnin” dhe ishin të bukura, që të flasim troç tani. Vaçja e fitoi me zgjuarsinë e saj, duke ditur të mbante kontaktet e duhura dhe duke u bërë institucion”, tregon ai, ndonëse shton se sa herë i duhej të dilte para publikut rrëkëllente ndonjë gotë alkool për të mbytur emocionet. Por përshtypje negative jep ai për të tjerat…

 Cilat kanë qenë rivalet më të forta si këngëtare?

Kanë qenë ato që kishin të dashurin ose mikun më të fortë. Historikisht, dy më të rrezikshmet kanë qenë Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori. Përveç Vaçes, që e shpjegova më lart, që ishte tjetër gjë, Parashqevia dhe Lindita zgjidhnin këngët që dëshironin ato, bëhej ç’donin ato.

Si arritën të kishin kaq liri? A thua me aftësi?

A thua me aftësi, është edhe pyetja ime? Kishte shumë më të mira se ato.

Po Parashqevia ka fituar disa festivale…

Po të them që kishte këngëtare shumë më të mira se Parashqevia. Erdhi nga Kavaja, por nuk do të doja të jepja detaje, se nuk ka ardhur në ndonjë mënyrë shumë të bukur. Po lante rrobat pranë një pusi dhe kam rastisur atje, ndaj e di mirë si ka ardhur. Po pinin ca atje pranë pusit dhe e sollën në Tiranë, pastaj na çoi ajo tek pusi. Na e bëri gropën sa mundi. Që ta shpjegoj më saktë dhe në mënyrë më të përgjithshme: Kemi pasur këngëtare të zgjuara, këngëtare finoke dhe këngëtare kurva. Kurvat morën fund shumë shpejt, sepse e morën vesh të gjithë se çfarë ishin dhe i lanë. E kuptoni menjëherë për kë e kam fjalën, se kurvat këngëtare, sado të famshme ishin asokohe, u zhdukën nga qarkullimi shpejt, pasi ndërroi sistemi. Fituan këngëtare finoke dhe të zgjuara.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/