13 gusht 2015 – Godina që shohim në foton bardhezi, për 30 vjet me radhë ka shërbyer si Muzeu Arkeologjik i qytetit të Durrësit. Ajo u dëmtua rëndë pas vitit 1997, kur edhe iu rikthye familjeve që e posedonin godinën para dhe gjatë Luftës së dytë Botërore. Krahasimi mes dy fotove të së njëjtës ndërtesë është thuajse i pamundur.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit u themelua më 13 mars të vitit 1951, nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, i cili njihet për kontributin e veçantë në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi.
Megjithëse me mjedise mjaft modeste, eksponatet e këtij muzeu janë vizituar nga mijëra qytetarë shqiptarë dhe dhjetëra specialistë të huaj arkeologë. Që prej 10 vjetësh godina është amortizuar krejtësisht dhe paaftësia e pronarëve për të gjetur një të ardhme dinjitoze për ndërtesën e shëtitores “Taulantia” lë një shije të hidhur për qytetarët dhe pushuesit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/