12 gusht 2015 – Në kuadër të projektit “Ëndrra ime 2015”, më 16 gusht 2015, ora 20:30, në amfiteatrin e Durrësit do të jepet premiera e veprës së dramaturgut gjenial anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616) “Ëndrra e një nate vere”. Shfaqja vjen nën regjinë e Driada Dervishit. Komedia e shfaqur dy vjet më parë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisu”, këtë herë vjen me një koncept të ri regjisorial, ashtu edhe me trupë të re aktorësh. Të rinjtë e Durrësit fitojnë konkursin “Ëndrra ime 2015”. Vetë kryeministri Edi Rama shpalli listën e 30 fituesve në mes 734 aplikantëve (individë apo grupe) që do të ndihmohen nga qeveria për të realizuar projektet e tyre. Mes qindra aplikuesve ka fituar dhe projekti i shoqatës “Uni Rinor” Durrës. Projekti i tyre është vënia në skenë në amfiteatrin e Durrësit të veprave me famë botërore. Dhe ky projekt përurohet me Shekspirin. Ideja është e poetes së re Josiba Osmani, master shkencor në të drejtën ndërkombëtare publike.
Këto ditë të nxehta vere trupa e teatrit të Durrësit është në aktivitet. Aktorët që do të luajnë në premierë: Besmir Bitraku, Ervin Doko, Eralda Era Çaushi, Amos Mujo Zaharia, Andia Xhunga, Vilma Hodo, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Roland Koça, Marsel Rupi e Adelina Muça, njoftoi Ministria e Kulturës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/