11 gusht 2015 – Dy festivalet ndërkombëtare muzikore që zhvillohen në Durrës gjatë stinës së verës kanë përfunduar në muajt korrik dhe gusht, ndërsa në tetor pritet të fillojë Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan. Edicioni i 7-të i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, që duhet të organizohej në fund të muajit gusht, do të shtyhet për vitin e ardhshëm për shkak të mungesës së fondeve.
Dy veprimtaritë muzikore, që organizohen përkatësisht nga violinistët durrsakë Nevila Kalaja dhe Florian Vlashi janë pritur mjaft mirë nga artdashësit dhe specialistët. Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës, që ka arritur në edicionin e 10-të të tij ka krijuar tashmë një fizionomi solide, me pjesmarrjen e muzikantëve shqiptarë dhe të huaj. Kalaja preferoi këtë vit nga 26 qershor – 4 korrik mjediset e Muzeut arkeologjik të qytetit antik, me 6 koncerte të organizuara kryesisht në fundjavë.
Shtatë koncertet e Bienales Netët e muzikës klasike nga Florian Vlashi, që u realizuan në po kaq ditë të para të gushtit, ndryshuan disa herë “shtëpi” nga Muzeu arkeologjik në kishën katolike “Shën Luçia”, nga holli i teatrit të qytetit në një kompleks turistik në periferi të tij. Tri ansamble dhe 20 artistë nga vende të ndryshme i dhanë jetë edicionit të 7-të të këtij Festivali, që tashmë njihet edhe jashtë vendit.
Ndërkaq, mësohet se edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan do të zhvillohet i shpërndarë në kohë gjatë muajve tetor-nëntor të këtij viti. Drejtori i këtij Festivali, Gjergj Prevazi, parashikon paraqitjen e 12 shfaqjeve nga trupa të ndryshme, vendase dhe të huaja.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/