11 gusht 2015 – Sikurse ka njoftuar dhe “Dyrrah”-u, kompleksi monumental “Gladiatorët” ka pësuar dëmtime nga njerëz të panjohur, duke detyruar drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës (DRKK) të riparojë pasojat e dhunës së barbarëve nga qyteti.
Mes viteve 1970-1974, Artisti i Popullit Janaq Paço (1914-1991), me kërkesë të drejtorit të muzeut arkeologjik të asaj kohe, të mirënjohurit dhe në rrafsh ndërkombëtar Vangjel Toçi (1920-1999), realizoi kompleksin monumental “Gladiatorët”, sipas relieveve origjinale antike të dy gladiatorëve ilirë, të gjetura në qytetin e Durrësit. Me dëshirën e familjes së autorit, duke vënë në jetë amanetin e Paços, skulpturat u derdhën për t’u vendosur në qytetin e Durrësit. Skulpturat ndodhen tashmë në shëtitoren “Taulantia” të qytetit prej vetëm 3 muajsh.
Por ditët e fundit ato janë dëmtuar, si dhe u është hequr tabela informuese. Kjo ndodh pikërisht në kulmin e sezonit turistik, në kohën kur shëtitorja “Taulantia” shndërrohet në pjesën më tërheqëse të qytetit, si për qytetarët, ashtu edhe për vizitorët. Restauruesit po punojnë për të ndrequr dëmtimet e dy skulpturave, thotë DRKK-ja Durrës. Stafi është i indinjuar nga veprimtaria keqbërëse krejt e paarsyeshme e disa individëve pa ndërgjegje shoqërore dhe po përballet përditë me sfidat e përkujdesjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/