8 gusht 2015 – Nata e muzikës moderne ka mbyllur mbrëmjen e kaluar edicionin e 7-të të Festivalit ndërkombëtar “Netët e muzikës klasike”, që tashmë njihet jo vetëm në Durrës me emrin Bienalja Muzikore.
Drejtuesi i Festivalit Florian Vlashi dhe kuarteti i drejtuar prej tij prezantuan dy vepra të kompozitorit spanjoll Paulino Pereiro, i pranishëm në koncert. Artdashësit që kishin mbushur një nga sallat e kompleksit turistik “Bleart” duartrokitën veçanërisht motivet e këngës së njohur shqiptare “Lule borë”, pjesë e këtij albumi. Përshtypje mjaft të mirë la interpretimi i duos së violinistëve Laura Llozi-Daniel Vlashi, me premierën botërore të njërës prej veprave të kompozitorit Pereiro, shkruar enkas për Bienalen e Durrësit. Menjëherë pas tyre një tjetër duet nga Florian dhe Rediana Vlashi, në violinë dhe violonçel me një tjetër vepër spanjolle, të cilën kompozitori Juan Duran ua ka kushtuar bashkëshortëve Vlashi, një pjesë ku ndjehen edhe kabatë tona, e po ashtu edhe tonalitetet e gajdes. “Instrument që në hapësirën evropiane e gjejmë vetëm në Shqipëri dhe në Galici (Spanjë), një mister ende për t’u njohur”, tha Floriani.
Kuarteti i përbërë nga Florian, Rediana e Daniel Vlashi dhe Arben Llozi shfaqi profesionalizëm të lartë në interpretimin e Divertimentit të Juan Duran, vepër që mbylli edhe mbrëmjen e fundit të këtij edicioni, i përkufizuar si një udhëtim muzikor në Spanjë, vendin e Servantesit.
Tri ansamble muzikore dhe mbi 20 artistë të fushave të ndryshme ishin pjesë e Bienales, që ka startuar në vitin 2003, si një projekt integrimi muzikor nga violinisti Florian Vlashi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/