7 gusht 2015 – Ronaldo Deda është shpallur mbrëmjen e kaluar “Solisti i Ri i Netëve të Muzikës Klasike”. Konkursi në të cilin morrën pjesë 16 nxënës të moshave 6-18 vjeç u zhvillua në kuadër të Bienales Muzikore 2015, veprimtari që po i drejtohet fundit.

Drejtuesi i jurisë, Orges Mema, tha se niveli i përgatitjes së konkurentëve ishte mjaft i mirë.

Pjesa më e madhe ishin nxënës të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, instrumentistë violinistë dhe pianistë, por nuk mungonin edhe artistët e rinj të kitarës, kantos apo klarinetës. Fituesi Ronaldo Deda është nxënës i vitit të dytë në klasën e violinës së mësuesit Arben Diko.

Bashkë me çmimin “Solisti i Ri i Netëve të Muzikës Klasike”, shoqëruar me diplomën përkatëse, 16-vjeçari Deda fiton të drejtën për të dhënë koncerte në Spanjë si solist, i ftuar nga violinisti Florian Vlashi dhe bashkëshortja e tij, violonçelistja Rediana Lukaçi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/