7 gusht 2015 – Mbrëmjen e kaluar në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit u përurua ekspozita e piktores Vali Kura Dimroçi. 36 tablo të përmasave të ndryshme të punuara vitet e fundit dëshmojnë mbi interesat e veçanta të piktores durrsake, e cila prej shumë vitesh jeton dhe punon bashkë me familjen në Cuneo (Itali).

Shikuesit kanë vlerësuar veçanërisht ciklin me miniatura nga monumentet arkeologjike të qytetit antik, të cilat janë punuar kryesisht në akuarel.

Autorja Kura Dimroçi ka përfunduar shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku” (sot “Jan Kukuzeli”) në vitin 1987, dhe i është rikthyer kavaletit vetëm kohët e fundit kur ka nisur të marrë pjesë edhe në ekspozitat kolektive që hapen në Cuneo.

Në tablotë e saj ndjehet shpirti poetik, më te cilin shpesh shoqëron edhe diçiturat e tablove, si në akuarelin “Zëri i detit”, kur shkruan “Deti nuk ka një vend, ai është i atyre që qëndrojnë për ta dëgjuar”.

Vali Kura Dimroçi ka provuar edhe në teknikën e vajit në kanavacë, me një sërë punimesh, të cilat për një javë radhazi do të jenë në galerinë kryesore të Durrësit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/