5 gusht 2015 – “Kitara spanjolle” ishte tema e mbrëmjes së kaluar të Bienales “Netët e muzikës klasike”, që mblodhi në Kishën katolike “Shën Luçia” dhjetra artdashës dhe artistë nga Durësi dhe Tirana.

Duke prezantuar autorin Luigi Boccherini (1743 – 1805), drejtuesi i festivalit Florian Vlashi, kujtoi kontributin e madh të Boccherini-t, që ndjehet edhe sot në interpretimet e pafundme të muzikës së tij.

Boccherini, kompozitori italian që jetoi dhe punoi më së shumti në Madrid (Spanjë) erdhi për dëgjuesit durrsakë me Kuintetin në do maxhor “Tërheqja nga Madridi”.

Florian Vlashi (violinë), me bashkëshorten Rediana (violonçel), Ana Maria Kotanin (violinë), Arben Llozin (violë) dhe Admir Doçin (kitarë) interpretuan pak më vonë edhe një vepër tjetër nga Boccherini “Fandango”, ndërsa nga Fernando Sor (1778 – 1839) sollën tinguj variacionesh nga opera "Flauti Magjik" i Moxartit.

Specialistët dhe artdashësit vlerësojnë profesionalizimin dhe seriozitetin e këtij edicioni të NMK-së, që sot në natën e pestë, do të zhvendoset në galerinë e arteve “Jozef””, me temën “Virtuozizmat”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/