· Muzeu duhet të ketë parametrat e një institucioni kombëtar
4 gusht 2015 – Në një intervistë për Ora News, drejtori i Institutit të Arkeologjisë Prof. Dr. Luan Përzhita tha se kohët e fundit ka pasur disa diskutime për sa i takon zhvillimit të mëtejshëm të muzeut arkeologjik të Durrësit, në varësi të Ministrisë së Kulturës, i cili duhet të ketë parametrat e një muzeu kombëtar arkeologjik.
Pavarësisht se strukturimi i tij është pjesë e drejtorisë rajonale të Durrësit, Përzhita mendon se këtij muzeu duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë. Instituti Arkeologjik, në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ka një potencial arkeologjik mjaft të madh. Nëse 3 mijë eksponate janë vendosur në muze deri në vitin 2000 Instituti i Arkeologjisë ka pothuajse 7 herë më shumë. Në këtë kuadër falë një iniciative po mendohet të hapet një pavijon që do t’u kushtohet kërkimeve nënujore shqiptare. Ai mund të jetë një ndër muzetë unikale në Shqipëri me një pavijon të tillë që do të jetë shumë joshës për turizmin elitar, thotë kreu i arkeologjisë shqiptare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”