4 gusht 2015 – 'Romeo dhe Zhuljeta' kanë gjetur edhe një shtëpi tjetër, pranë Lipjanit, thuajse në qendër të Kosovës. Në galeritë natyrore të shpellës së Gadimes mund të gjesh mrekulli që natyra ka mbajtur fshehur për qindra vjet me radhë.
Stalaktitet dhe stalakmitet janë fenomeni më i përhapur në të gjithë shpellën. Në një prej hapësirave që i ngjajnë një maketi skenografik, sipas guidës së shpellës, duken qartë 'Romeo dhe Zhuljeta' në formën e dy shtyllave kristalore që i drejtohen prej dhjetra mijëra vjetësh njëra-tjetrës pa u takuar ende.
Shpella e mermerit pranë Lipjanit përbën një tërheqje të këndshme për vizitorët. Sipas specialistëve, ajo nuk është eksploruar tërësisht dhe pjesa e padukshme që vazhdon të fshihet nën tokë duhet të jetë disa herë më e madhe se sa ajo që është bërë e vizitueshme që nga viti 1974.
Shpella e Gadimes, ja si u zbulua
Shpella e Gadimes ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, në afërsi të Lipjanit, rreth 20 km larg Prishtinës. Ajo është e gjatë rreth 1500 metra, por turistët mund të vizitojnë vetëm 800 metrat e para, pasi kalimet e tjera janë të bllokuara.
Shpella është zbuluar rastësisht në vitin 1969 nga fshatari Ahmet Diti, i cili po riparonte banesën e tij. Ekipe të ndryshme speleologësh e kanë hulumtuar atë në vitet 1970.
Ajo është e vetmja shpellë turistike në Kosovë, megjithatë një pjesë e madhe e saj vazhdon të jetë e pazbuluar.
Shpella ka tre hyrje në lartësitë 576-584 metra mbi nivelin e detit. Pjesa turistike është rreth 800 metra dhe vizita e organizuar zgjat rreth 2 orë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/