4 gusht 2015 – Udhëtimi muzikor në Spanjë, vend të cilit i kushtohet edicioni i 7-të i Festivalit ndërkombëtar të Muzikës klasike që po zhvillohet në Durrës ka mbërritur në mbrëmjen e tretë me temën e pashmangshme të Don Kishotit.
Duke i hapur rrugë koncertit që u zhvillua në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, drejtuesi i këtij festivali, Florian Vlashi tha se që prej 400 vjetësh Don Kishoti është tema më e preferuar e krijuesve muzikorë në të gjithë botën.
Formacioni i harqeve “Aleksandër Moisiu” nën drejtimin e Mira Ikonomit intepretoi më pas si vepra premierë në vendin tonë Chacona nga Henry Purcell (1659 – 1695) dhe “Burlesque de Quixotte” nga Georg Philip Teleman (1681 – 1767).
Një dedikim i veçantë për të gjithë plejadën e përkthyesve tanë përmes përkthyesit Pirro Dollani (Las Vegas – SHBA), i cili kishte përzgjedhur 7 pjesëzat hyrëse të "Don Kishotit të Mançës" nga përkthimet mjeshtërore të Fan Nolit dhe Petro Zhejit. Interpretimi i veprës së Telemanit, e para e shkruar enkas për Don Kishotin, fitoi duartrokitjet e gjata të të pranishmëve, të cilët sot mund të ndjekin në Katedralen "Shën Luçia" mbrëmjen kushtuar kitarrës spanjolle.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/