3 gusht 2015 – Bienalja “Netët e Muzikës Klasike Durrës” (1-7 gusht 2015), tashmë është një aktivitet i mirëpritur në qytetin bregdetar, i cili qysh prej vitit 2003, falë ideatorit të kësaj ngjarjeje muzikore, violinistit me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi prezanton programe të mirëfillta me instrumentistë virtuozë dhe mbrëmje të nivelit të lartë profesional. Sivjet, së bashku me muzikantin dhe kompozitorin Haig Zacharian, Bienalja do të shtegtojë në viset e Servantes-it, me temën “Espana”. Muzeu Arkeologjik Durrës mirëpriti për dy net radhazi, më 1 dhe 2 gusht 2015, artistët e kësaj bienaleje. Hapja e veprimtarisë, me “Nata Surrealiste”, u bë nga 11-vjeçari Martin Vlashi, biri i i Florian Vlashit dhe profesor Përparim Kabo, i cili lexoi kumtesën: “Servantes-Hygo-Dali vijnë në Durrës. Tri rrëfenja për Martinin”. Martini, që ka lindur në Spanjë, luajti për herë të parë në Durrës, prej ku ka dhe origjinën e tij. Mbrëmja u pasua nga një koncert në piano dhe në violinë, për t’u mbyllur me balete nga Don Kishoti grupin e njohur “Flamenco” nga Spanja. Në “Nata e Muzikës së Vjetër”, më 2 gusht ishte një takim me Alessandro Castriota Scanderbeg, ku ekzekutoi Ansambli Vokal “Prishtina” (Kori Kamertal i Filarmonisë së Kosovës) me dirigjent Rafet Rudi.
Programi sjell një udhëtim muzikor në vendin e Servantesit. Vlashi sikurse herë të tjera, e shikon këtë festival me muzikë dhome, si mundësi të mirë, ku mund të krijohen dhe të ruhen tradita muzikore. Nëpërmjet koncerteve mbetet qëllim dhe edukimi i publikut, i cili mund të realizohet nëpërmjet projekteve të improvizuara në stinë të mirëfillta dhe në festivale serioze. E veçanta është se do të ketë dhe një koncert në mjediset e Spitalit Rajonal të Durrësit.
Për Bienalen është dhënë një mbështetje financiare prej 300.000 lekësh nga Ministria e Kulturës, që sipas kompozitorit Haig Zacharian (Artist i merituar), janë pak për zhvillimin e një projekti të tillë.
Programi në ditët e ardhshme
Nata e Muzikës Baroke: Holli i teatrit, 3 gusht, ora 20.00. “Don Kishoti në muzikë”, Purcelli, Telemann dhe Orkestra e Harqeve A.Moisiu.
Nata e Muzikës Klasike: Katedralja Shën Luçia, 4 gusht ora 20.00. “Kitara spanjolle”, Boccherini, F. Vlashi, A. Kotani, A. Llozi, R. Lukaçi dhe A. Domi.
Nata e Muzikës Romantike: Galeria “Jozef”, 5 gusht ora 20.00 prezantohet “Virtuosismo”, “Sarasate grandos”, D.Vlashi dhe D.Dodani Dedja, piano
Nata e Yjeve të Rinj: Shkolla e Muzikës “Jan Kukuzeli”, 6 gusht ora 18.00. Konkursi i talenteve të rinj, koncert në spitalin e qytetit, Durrës, dt.7 gusht, ora 11.00.
Nata e Muzikës Moderne: Te hotel “Bleart”, 7 gusht ora 20.00 “Proyecto Albania”, nga Spanja në Shqipëri. “Pereiro/Duran”, “Grupo Instrumental Siglo XX”, F. Vlashi, D. Vlashi, L. Llozi. A. Llozi dhe R. Lukaço.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/