31 korrik 2015 – Pas suksesit pak ditë më parë në skenën e teatrit antik të Butrintit, trupa e teatrit të Durrësit vjen sërish përpara publikut, këtë herë me komedinë shekspiriane “Ëndrra e një nate vere” që do të shfaqet në skenën e improvizuar të amfiteatrit të Durrësit nën regjinë e Driada Dervishit, regjizores së këtij teatri.
Komedia e shfaqur në skenën e teatrit A. Moisiu” dy vjet më parë, këtë herë vjen e rikonceptuar si nga ana vizive ashtu dhe në trupën e aktorëve. Shfaqja teatrale në amfiteatrin e Durrësit shihet si një ogur i mirë në fillimin e një ere të re teatrale në qytet. Kjo ëndërr vere nisi si një rastësi e bukur. Një vajzë e re nga Durrësi e rritur në teatër aplikon në projektin “Ëndrra ime” të kryeministrit Edi Rama, dhe shpallet si një nga fitueset e 30 projekteve të iniciuar nga kryeministri. Në këto ditë të nxehta vere kur pothuajse të gjitha trupat e teatrove po pushojnë, trupa e teatrit të Durrësit është në aktivitet me një kast aktorësh të rinj dhe të talentuar ku nga shfaqja në shfaqje po arrijnë të krijojnë fizionominë e tyre specifike.
Do të jenë 14 aktorë pjesë e kësaj komedie, Adelina Muça, Ervin Doko, Xhejni Fama, Besmir Bitraku, Era Caushi, Roland Koça, Amos Zaharia, Mimoza Marjanaku, Gjergj Doçi, Andia Xhunga, Vilma Hodo, Suela Bako, Marsel Rupi dhe Romir Zalla. Provat e nisura për këtë shfaqje para pak ditësh në skenën e teatrit “A. Moisiu” nën drejtimin e regjizores Driada Dervishi, do të zhvendosen më 7 gusht në amfiteatër, atje ku dhe do të jepet për publikun kjo shfaqje teatrale më 16 gusht në orën 21:00.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/