· Kandidati i së djathtës uron që banorët e bashkisë së madhe të kenë “bërë zgjedhjen e duhur” për të realizuar “të gjitha pritshmëritë e tyre”
DURRËS, 4 korrik 2015 – Edhe pse u promovua fort nga deputeti republikan Agron Duka, humbësi spektakolar i zgjedhjeve për bashkinë e Shijakut Redi Saraçi ia vë fajin vetes. Me sa duket, qarkullojnë zëra se votat kundër Saraçit ishin vota kundër Agron Dukës. Ndoshta, po të mos kishte mbështetjen e hapur të deputetit republikan dhe ndihmën e humbësit të Durrësit në vitin 2011, Ferdinand Xhaferaj, si dhe Grida Dumës, Saraçi mund të kishte një rezultat dukshëm më të mirë. Por ai është fisnik dhe gjithçka ia “faturon” vetes:
“Për të shmangur të gjitha thashethemet për humbjen e zgjedhjeve, shpreh të gjithë përgjegjësinë personale për humbjen në të katër njësitë Shijak, Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj”.
Madje, kandidati i së djathtës uron që banorët e bashkisë së madhe të Shijakut të kenë “bërë zgjedhjen e duhur” për të realizuar “të gjitha pritshmëritë e tyre”. Në mesazhin e Saraçit nuk ka mëri, sharje, shfajësime, akuza ndaj kundërshtarit Ardian Kokomani, i promovuar nga Dako. Ndërsa, Duka nuk ka thënë asgjë për katastrofën e rëndë të tij dhe PR-së në Shijak.
/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/